LAJMET E MBRËMJES

​Osmani e Kurti kërkojnë drejtësi për krimet serbe, opozita refuzoi ftesën

Liberalizimin e shpejtë të vizave e ka kërkuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Ajo ka thënë se rruga e Kosovës duhet jetë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, teksa ka mbajtur një fjalim në manifestimin qendror “Nga Eksodi në Liri”, të mbajtur në Bllacë të Hanit të Elezit.

“Nëse më 1999 filozofi francez ... thoshte se Evropa lind në një Prishtinë të lirë, sot Evropa rilind në një Kosovë të integruar në familjen e Bashkimit Evropian. Ky synim i yni nuk duhet të mbetet peng, ndaj liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sa më parë e Kosova të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike aty ku e ka vendin”, deklaroi Osmani.

Osmani deklaroi se më 12 qershor të vitit 1999, vrasësit kanë përfunduar jashtë Kosovës.

Edhe kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se duhet të bëhet kërkesë më e lartë për integrim, teksa ka potencuar se do të kërkohet drejtësi për të gjitha krimet serbe të kryera në Kosovë.

“Jemi duke punuar fort në adresimin institucional, si dhe bërjen përgjegjëse të Serbisë për krimet e saj të kryera në Kosovë. Prandaj, në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë e duke kujtuar luftën, ta ruajmë paqen, ta shtrëngojmë fort dhimbjen që ndiejmë e të zotohemi që do të bëjmë më të mirën për të ardhmen e këtij vendi, të brezit tonë e të gjeneratave që vijnë, pjesëmarrjen sa më të ndershme të shumicës së shoqërisë sonë, duhet që sa herë që mbërrijmë këtë datë ta shënojmë një përpjekje të re, të madhe, në programin socio-ekonomik dhe një kërkesë më të lartë në integrimin evropian e euroatlantik”, tha Kurti.

Osmani e Kurti fillimisht bënë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, tek varri i ish-veprimtarit Adem Demaçi, si dhe para pllakës përkujtimore të ushtarëve të rënë gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se NATO-ja ka sjellë stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe për rajonin me hyrjen e forcave të saj më 12 qershor 1999.

Hovenier është shprehur i lumtur që festoi të dielën Ditën e Paqes krah zyrtarëve kosovarë.

Por liderët opozitarë nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes Vjosa Osmani për të marrë pjesë në manifestimin qendror “Nga Eksodi në Liri.

Zyra e Presidentes i ka thënë KOHËS se Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë ftuar, por ata kanë zgjedhur ta bojkotojnë pjesëmarrjen.