Në Ditën ndërkombëtare të personave më sindromën Down është kërkuar mbështetje për ta. Krerët e shtetit kanë thënë se duhet edhe shumë punë në mënyrë që nevojat e këtyre personave të plotësohen, ndërkohë që nga shoqata e tyre kanë kërkuar mbështetje për realizimin e të gjitha të drejtave të tyre
Shifra zyrtare nuk ka, por Kosova llogaritet të ketë rreth 42 mijë fëmijë me nevoja të veçanta. Vetëm 5 mijë prej tyre janë të integruar në shkollim. Por numri i asistentëve e mësuesve mbështetës nuk i plotëson nevojat - janë të angazhuar vetëm afro 100 sish.
Me këtë problem ballafaqohen edhe fëmijët me sindromën Down, të cilët të hënën kanë shënuar Ditën ndërkombëtare të personave me këtë sindromë.
Për ndër të kësaj dite në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë janë ekspozuar kartolina, qirinj, çanta e fotografi, të punuara nga persona me këtë sindromë.
Dionis Ferataj nga “Down Syndrome Kosova” është shprehur i lumtur me interesimin që kanë shfaqur qytetarët për të blerë produktet e ekspozuara.
“Më vjen shumë mirë që për 21 mars, Ditës së Sindromës Down, të gjithë kanë ardhur për të blerë kartolina për fëmijë”, ka theksua ai. Mbështetje e integrim për ta është kërkuar edhe në marshin “Ec me këpucët e mia”, që është organizuar për nder të kësaj dite. Drejtoresha e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Beqiri, ka thënë se mbështetja për këtë kategori është e domosdoshme.
“Personat me sindromën Down kanë nevojë për mbështetje dhe për realizimin e të gjitha të drejtave të tyre në të gjitha fushat e jetës, sepse komuniteti në këtë rast, personat me sindromën Down dhe familjarët e tyre çdo ditë ballafaqohen me sfida të ndryshme”, ka theksuar Beqiri.
Në këtë marsh ka marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila ka thënë se duhet edhe shumë punë për të plotësuar nevojat e personave me sindromën Down.
“Është e domosdoshme që për të gjitha kushtet që ata kanë nevojë t’u ofrojmë si institucione. Natyrisht që jemi në hapat e parë dhe kërkohet edhe shumë më shumë punë. Por do të bëjmë gjithçka që është në duart tona, gjithçka që është në kompetencat tona, në mënyrë që secili anëtar i shoqërisë sonë të ndihet i barabartë”, është shprehur Osmani.
Sipas Osmanit, duhet investim në kuadro që do të merren me personat e kësaj kategorie.
“Disa prej kërkesave themelore kanë të bëjnë me terapi fizike, terapi psikologjike, pastaj me logopedi, janë fusha të cilat jodomosdo, sidomos logopedia, janë të zhvilluara në shtetin tonë, prandaj ne në radhë të parë duhet të investojmë në kuadro të mirëfillta, të cilat pastaj mund të ndihmojnë fëmijët me sindromën Down qysh nga ditët e para... Janë ndërmarrë hapa sa u përket asistentëve në shkolla, duhet të rritet numri”, ka deklaruar Osmani.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, bashke më ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka vizituar shkollën “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, ku në orën e parë mësimore u fol për sindromën Down.
“Qeveria e Kosovës e ka shpallur vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara, sepse ne besojmë që teksa ne kontribuojmë të gjithë për shtetin, më së pari e më së shumti duhet t’i ndihmojmë ata, të cilat i kanë nevojat më të mëdha. Personat me aftësi të kufizuara janë ata që obligohemi t’i krijojmë mundësi e kushte të barabarta, por gjithashtu edhe gjithëpërfshirje në shoqërinë tonë”, ka thënë Kurti me këtë rast.
Deputetët e pushtetit vitin që shkoi nuk patën mbështetur një amendament të PDK-së për shtim të buxhetit për punësim të asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta. Ata patën abstenuar nën arsyetimin se Ministria e Arsimit që nga ky vit në një periudhë 4-vjeçare do të angazhojë edhe 400 asistentë për këto kategori.