Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë të enjten vlerësimin e saj lidhur me përmbajtjen e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të paraqitur nga Bashkimi Evropian. Tri ditë pasi që vërejtjet për të i ka ndarë me emisarin e ri të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Osmani ka thënë që beson se draftstatuti nuk do ta kalonte testin e Gjykatës Kushtetuese pasi që, përveç me Kushtetutën e Kosovës, ai nuk është në përputhje as me vlerat evropiane. Këtë qëndrim ajo e ka shprehur në konferencë të përbashkët shtypi me homologun nga Letonia, Edgard Rinkevic, i cili të enjten ka qëndruar në Kosovë
Drafti i Bashkimit Evropian (BE) për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk mund të kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese, ka thënë të enjten presidentja Vjosa Osmani.
Osmani, e cila është juriste me profesion, ka shprehur bindjen se në këtë draft ka çështje që bien ndesh jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me vlerat e BE-së.
“Po flasim për çështjet në draftstatutin e BE-së që unë besoj që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës e Kosovës, nuk janë në përputhje as me vlerat dhe normat e BE-së e as me standardet e Këshillit të Evropës, pastaj po ashtu nuk janë në përputhje me vendimin e Gjykatës të vitit 2015. Dhe një draftstatut i tillë, që bie në ndesh me këto të tria, nuk ka se si të hyjë në fuqi dhe as nuk besoj që do të mund të kalonte çfarëdo testi në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ajo.
Osmani ka bërë të ditur se vërejtjet që i ka lidhur me këtë draft i ka shpalosur me emisarin e ri të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i cili gjatë javës ka qëndruar për vizitë në Prishtinë. Me Sorensenin, Osmani ka thënë se është dakorduar që të vazhdojnë diskutimet.
Në tetor të 2023-tës, Kosovës i është dorëzuar nga BE-ja drafstatuti për formimin e Asociacionit. Në BE dhe në vendet e tjera perëndimore i kanë kërkuar Kosovës që këtë draft ta procedojë në Gjykatë Kushtetuese për vlerësim, porse kjo është refuzuar nga autoritetet në Kosovë.
Qëndrimin lidhur me draftstatutin e Asociacionit, Osmani e ka shprehur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics, i cili të enjten ka qëndruar për vizitë në Kosovë.
Rinkevics ka thënë se Letonia e ndan qëndrimin e njëjtë me Kosovën për sa i përket nevojës për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ia ka vendosur Kosovës dhe ka shprehur domosdoshmërinë që kjo të bëhet sa më shpejt.
“Është e qartë se është vendim për (statusin kandidat) unanim i të gjitha 27 shteteve anëtare e kemi diskutuar me presidenten dhe më ka treguar mënyrën se si Kosova e sheh këtë proces. Kur do të kthehem dhe të diskutoj me kolegët e mi për këtë, por para se të shkojmë atje duhet t’i heqim masat ndëshkuese... qëndrimi i Letonisë është që duhet të largohen ato masa dhe për këtë avokojmë në BE. Bindja ime është që sa më shpejt që të bëhet kjo aq më mirë do të jetë”, ka theksuar Rinkevics. “Nuk mund t’ju premtoj se statusi i vendit kandidat do të jepet deri në fund të vitit. Nuk mund të flas në emër të të gjitha shteteve anëtare. Mund të shoh pak progres, por besojmë që ka nevojë për procesin e reformave dhe për procesin politik në rajon”.
Përveç për çështjen e masave ndëshkuese, të cilat BE-ja ia ka vendosur Kosovës në qershorin e 2023-tës shkaku i përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e banuar kryesisht me serbë, Rinkevicsi e ka ofruar mbështetjen e Letonisë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), në organizata të tjera ndërkombëtare dhe në BE.
“Letonia e mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe diskutuam gjegjësisht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. E keni mbështetjen tonë të plotë, gjithmonë ju kemi mbështetur për anëtarësim të plotë në KiE. Besojmë që ky anëtarësim mund të hapë rrugën edhe për anëtarësim në organizata të tjera”, është shprehur ai.
Presidenti i Letonisë e ka kualifikuar gjithashtu vazhdimin e dialogut të Brukselit mes Kosovës e Serbisë si mënyrën më të mirë “për ta përmirësuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon në një afat më të gjatë”.
“Mendoj që duhet ta vazhdojmë dialogun. Mendoj se duhet ta kuptojmë që ky dialog është mënyra e vetme, jo vetëm për marrëveshjen politike dhe për pajtim, por edhe për të ardhmen, edhe për anëtarësimin e Kosovës dhe të Serbisë në BE. Nëse duam ta arrijmë këtë qëllim, duhet që të dyja palët të angazhohen”, ka thënë Rinkevics.
E Osmani ka shprehur pritjen që me udhëheqjen e re në BE do të ndryshojë edhe qasja karshi Kosovës. “Me lidershipin e ri të BE-së shpresojmë që balanca dhe barazia do të kthehen në tavolinë, sepse do t’i ndihmonte vetë kredibilitetit të procesit dhe si rrjedhojë, shpresoj që do të jenë rezultate më pozitive”, ka thënë ajo.
Integrimin e Kosovës në BE, Osmani e ka kualifikuar jetik jo vetëm për Kosovën, por edhe se ky proces “mbetet parakusht për një Evropë të lirë, të plotë dhe në paqe”.
Ajo po ashtu ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmet në Kosovë dhe që BE-ja të ketë një “përgjigje të qartë” ndaj saj.
“Përderisa shteti dhe rajoni ynë akoma përballen me veprime destabilizuese të Serbisë, është më rëndësi që BE-ja të ketë një përgjigje të qartë ndaj veprimeve të tilla që synojnë që rajonin tonë ta kthejnë drejt së kaluarës dhe konflikteve. Ne u kemi bërë ballë me sukses synimeve të agresorit. Mirëpo është me rëndësi që të ketë përgjegjësi për Serbinë, si për këto sulme ashtu edhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj 2023”, ka thënë Osmani.
Ajo ka bërë të ditur se krahas këtyre çështjeve me homologun nga Letonia ka diskutuar edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e përfshirë edhe fushën e mbrojtjes.
“Ne diskutuam edhe mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, siç e përmenda fushën e mbrojtjes, si dhe angazhimin e përbashkët për zgjerimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse”, ka theksuar Osmani teksa ka shtuar se e vlerëson vendimin e Letonisë për ta zgjatur deri në fund të këtij viti afatin e pjesëmarrjes së trupave të saj në misionin e NATO-s në Kosovë – KFOR.
BE-ja ua pati dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin më 2023, i cili është mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara (SHBA). Edhe asokohe Osmani ka thënë se dokumenti duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese. Që atëherë BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që ta dërgojë këtë draftstatut në Gjykatën Kushtetuese, porse kjo ende nuk ka ndodhur.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit më 2013 dhe dy vjet më vonë atë për parimet e Asociacionit. Në Gjykatën Kushtetuese kanë thënë më 2015 se marrëveshja mbi parimet nuk është në përputhje të plotë me Kushtetutën, duke kërkuar që 23 pika të saj të harmonizohen.
Deri më tani Kosova ka refuzuar që ta themelojë Asociacionin, ndërkaq Serbia ka insistuar që marrëveshjet për këtë çështje të zbatohen.