Zvarritje të trajtimit të rasteve, seanca joproduktive, mungesë e burimeve, janë disa prej gjetjeve të identifikuara në raportin e publikuar nga OSBE-ja për sektorin e drejtësisë. Pas prezantimit të analizës nga udhëheqës të këtij misioni në Kosovë, drejtues të Ministrisë së Drejtësisë u zotuan se do të punojnë në zbatimin e rekomandimeve e në funksion të rritjes së efikasitetit të gjyqësorit
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka kërkuar efikasitet nga gjykatat për trajtimin e lëndëve të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.
E ka bërë këtë në raportin “Nga teoria në praktikë: Vlerësim i efektivitetit të reagimit të gjyqësorit ndaj krimit të rëndë të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”, që e ka publikuar të mërkurën.
Dokumenti analizon sistemin e drejtësisë në Kosovë, pjesë e një projekti rajonal të OSBE-së të realizuar me mbështetje financiare të BE-së.
Duke u mbështetur në monitorimin e 52 lëndëve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me gjithsej 670 seanca dëgjimore të mbajtura në periudhën korrik 2021-mars 2024, raporti ka synuar t’i mbështesë institucionet e Kosovës në adresimin e mangësive të identifikuara dhe shqyrtimin gjyqësor të lëndëve të tilla në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato të të drejtave të njeriut.
Raporti vë në dukje zhvillime pozitive të tilla si miratimi i Strategjisë për sundimin e ligjit 2021-2026 , miratimi i Planit strategjik 2022-2024 për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nënshkrimi i “Deklaratës së përbashkët të zotimit” nga palët kryesore të interesit në mars 2023.
Ai po ashtu evidenton shqetësimet kryesore, përfshirë “shkallën e lartë të lirimit nga akuzat, zvarritjet në shqyrtimin e lëndëve, si edhe mangësitë në menaxhimin e lëndëve, kryesisht për shkak të vështirësive në zbatimin e Kodit të Procedurës Penale, praktikave gjyqësore jokonsistente, vonesave në marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe problemeve me përkthim”.
Analiza përmban një listë rekomandimesh praktike për akterët e gjyqësorit, që bazohen në një shqyrtim të performancës së tyre në katër fusha kryesore, si drejtësia, efikasiteti, kapaciteti dhe mjetet gjyqësore. Rekomandimet kryesore përfshijnë forcimin e transparencës, ndarjen e më shumë burimeve njerëzore dhe materiale, si dhe përmirësimin e kritereve të vlerësimit të performancës për gjyqtarët dhe prokurorët.
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davecnport, theksoi se perceptimi publik paraqet mungesë të besimit për sistemin gjyqësor, e sidomos në kërkim të llogarisë për zyrtarët e lartë.
“Në Kosovë ekipi ynë ka nënvizuar çështje kyç që përfshijnë së pari zvarritje të rasteve, ndonjëherë një numër të madh të seancave joproduktive, pastaj mangësi në vetëmenaxhimin e rasteve, kapacitet joadekuat dhe shpeshherë edhe mungesë resursesh siç u përmend më herët në kontekstin rajonal, llogaridhënie të dobët dhe performancë të dobët të mekanizmave përkatës. Pastaj çështje që pengojnë konfiskimin efektiv të pasurive”, ka thënë Davenport.
Sipas tij, luftimi efektiv i krimit të organizuar dhe korrupsionit është thelbësor për sundimin e ligjit.
“Ky raport bazohet në prova të forta nga monitorimi i gjykimeve në tre vjetët e fundit dhe ofron rekomandime të rëndësishme për forcimin e përgjigjes së drejtësisë penale ndaj këtyre krimeve”, ka thënë Davenport.
Publikimin e raportit të vlefshëm për ndërmarrjen e hapave nga institucionet shtetërore e pa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Meqë edhe objektivi i këtij raporti ka qenë që të vlerësohet efektiviteti i reagimit gjyqësor ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, rrjedhimisht dhe rekomandimet janë në kompetencë të adresimit dhe përmbushjes nga ana e institucioneve përgjegjëse, pra të sistemit të drejtësisë, më lejoni të shpreh gatishmërinë, por edhe vullnetin si ministre e Drejtësisë që të mbështesim në të gjitha fushat brenda kompetencave tona adresimin e këtyre rekomandimeve”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar se objektivë kryesore e Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë ka qenë lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar përmes reformave në sistemin e drejtësisë.
“Ministria e Drejtësisë po shënon të arritura konkrete edhe në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim ne kemi kompletuar dhe miratuar paketën ligjore kundërkorrupsion, kemi miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, por gjithashtu kemi miratuar Rregulloren për Sinjalizim dhe jemi në rrugën e duhur për funksionalizimin e task-forcës Antikorrupsion dhe ekipit të përbashkët të hetimeve për hetimin dhe ndjekjen e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit me përbërje të ekspertëve nga institucionet e tjera shtetërore”, ka thënë ministrja Haxhiu.
E, ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, ka theksuar se sektori i drejtësisë ka përgjegjësinë për të garantuar llogaridhënie dhe për ta parandaluar mosndëshkimin në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Pres që rekomandimet e vlefshme të raportit të OSBE-së mbi monitorimin e proceseve gjyqësore bashkë me ato të monitorimit gjithëpërfshirës nga ana e EULEX-it të lëndëve të përzgjedhura në tërë zinxhirin e drejtësisë penale, t'u ndihmojnë autoriteteve të Kosovës që t’i adresojnë mangësitë e identifikuara dhe ta përmirësojnë trajtimin e lëndëve të tilla”, ka thënë ai.
Projekti rajonal, i zbatuar nga operacionet e OSBE-së në terren në Tiranë, Prishtinë, Sarajevë, Podgoricë, Shkup, e që nga korriku i këtij viti edhe në Beograd, do të vazhdojë deri në dhjetor 2026, kur do të publikohet raporti përfundimtar.