LAJMET E MBRËMJES

Organizatorët: “Marshi për Drejtësi”, moment për unifikim

Organizatorët e marshit mbështetës ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte nga Specialja, kanë thënë të jenë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e së dielës të manifestimit për drejtësi. Ata kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen marshit dhe thanë se kjo ngjarje përbën momentin kur duhet treguar unifikim, pavarësisht ngjyrimeve politike.

Organizatorë të Platformës “Liria ka emër” u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dielën nga ora 14:00 t’i bashkohen marshit mbështetës ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, ndaj të cilëve një ditë më vonë, në Hagë nis procesi gjyqësor për krime lufte.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila është një nga organizatoret e marshit, ka thënë se kjo ngjarje përbën momentin kur duhet treguar unifikim.

“Gjithëpërfshirja ka qenë koncepti i marshit. Është moment shumë i rëndësishëm i shoqërisë sonë që të ketë një unifikim rreth copëzave tona historike që na përfaqësojnë të gjithëve pa asnjë dallim dhe besoj që të gjithë duhet ta shohin në këtë prizëm, prandaj ftesa është edhe sot publikisht e hapur për të gjitha partitë ose edhe akterët e tjerë të cilët në një formë ose tjetër nuk i janë përgjigjur ftesës ose kanë hezitimet e veta”, ka deklaruar ajo.

E organizatori tjetër, Ismail Tasholli, ka thënë se mbështetja që është pranuar gjithandej vendit tregon të vërtetën e historisë së Kosovës.

“Kosovës ka bërë luftë të imponuar, të drejtë, për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës dhe për lirinë e vendit tonë. Këtë të vërtetë duhet ta ruajmë të gjithë sepse është e vërtetë e çdonjërit, është e vërteta e Kosovës së djeshme, të sotshme dhe e Kosovës së nesërme”, ka thënë Tasholli.

Prej më shumë se dy vjetësh ndodhen në paraburgim në Hagë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Të katërtit akuzohen nga Specialja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Eksponentë të PDK-së, parti që ishte drejtuar nga Thaçi e Veseli, janë treguar më aktivë në organizimin e marshit solidarizues me ish-drejtuesit e UÇK-së, gjykimi ndaj të cilëve nisë të hënën. Por, mbështetje kanë dhënë edhe shumë organizata e parti, përfshirë edhe Vetëvendosjen që qeveris me vendin.

Partia në pushtet, në një komunikate mbështetëse për marshin, nga të akuzuarit në Hagë ka përmendur vetëm ish-deputetin e saj, Rexhep Selimi.

Për organizatorët, kjo nuk përbën ndonjë problem.

“Unë besoj se të gjithë kemi arsye për të dalë në marsh. Ne kemi pasur gjithëpërfshirjen në koncept dhe vazhdojmë ta mbajmë të tillë. Por njerëzit mund të vijnë edhe për një arsye, një emër, ose shumë emra, sepse liria ka shumë emra. E tash unë nuk dua të ndalem në cilësime të përveçme, për ne është e rëndësishme të përçojmë dashuri, solidarizim me krerët e UÇK-së atje, secili le ta sheh nga prizmi i vet”, ka thënë Hoxha.

Ndryshe nga partitë në pushtet dhe ato në opozitë, qëndrim për marshin nuk ka shprehur LDK-ja, eksponentë të së cilës kanë deklaruar më herët se presin nga Specialja t’i zbardhë edhe vrasjet politike të pasluftës.

Marshi do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”, nga ku do të adresohen akterë me role të ndryshme në shoqëri.