E padrejtë u konsiderua mbajtja e ish-drejtuesve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, të dielën në marshin e organizuar nga platforma “Liria ka Emër”. Organizatorët thanë se sheshet e kryeqytetit do të jehojnë sërish në ditën e kthimit të tyre. Ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar se marshi është përcjellë drejtpërdrejtë edhe nga të akuzuarit në Hagë
Ky shesh do të jehojë sërish në ditën e kthimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Kështu u tha para mijërave qytetarëve në “Marshin për drejtësi”, që u organizua një ditë pra se në Hagë të nis gjykimi ndaj katër drejtuesve të UÇK-së.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, njëherësh ideatore e platformës që organizoi marshin e së dielës, tha se 24 vjet më parë Prishtina ishte shndërruar në qytet fantazmë pas dëbimit të njerëzve nga forcat serbe, teksa kujtoi sheshet e mbushura në festën e pavarësisë së Kosovës.
“UÇK na bashkon të gjithëve, pa dallim, thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur, jam e bindur se ky sheh do të buçojë sërish në ditën e rikthimit të çlirimtarëve tanë”, ka thënë Hoxha.
E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se udhëheqësit që gjenden në Hagë janë duke e përcjellë drejtpërdrejtë marshin dhe kërkoi duartrokitje nga të pranishmit. Ai theksoi se beson fuqishëm në drejtësi dhe në rikthimin e tyre.
“Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i shoqatës "Zëri i Prindërve", Bajram Çerkini, u shpreh se nëse ka drejtësi diku në botë, do të duhej parë që ish-pjesëtarët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Nuk jemi duke kërkuar asgjë përveç drejtësisë nëse ka në Evropë. Në qoftë se ka diku drejtësi është dashtë me na tregu se ku janë edhe 1600 e diçka njerëz, është dashtë me na tregu bashkësia evropiane ku i kemi fëmijët”, ka thënë Çerkini.
E Flaka Fazlija, e bija e dëshmorit Fatmir Fazlija, tha se nga Prishtina po shprehet bindja se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka kryer krime dhe nuk është në asnjë formë organizatë kriminale.
“Pjesëtarët e UÇK-së ishin njerëz të cilët dënesën e dhimbjeve tona kolektive e kthyen në zë të fuqishëm të cilin e dëgjoi e gjithë bota, e në veçanti SHBA-ja, NATO-ja e BE-ja. Bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm”, ka thënë Fazlija.
E në fund të këtij organizimi në skenë dolën të emocionuar e me lot në sy familjarë të ish – krerëve të UÇK -së, në shenjë falënderimi për mijëra qytetarë që erdhën nga e gjithë Kosova.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.