LAJMET E MBRËMJES

Opozita: Pushteti po e bllokon punën e Komisionit Hetimor për energjinë

Intervistimi i kryesuesit të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahun, në Komisionin Hetimor në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës ka dështuar si pasojë e mungesës së kuorumit. Kryetari i Komisionit, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se shumica e deputeteve nuk e kanë njoftuar për mungesën. E deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se krahas mungesës, deputetët e partisë në pushtet po e bllokojnë edhe ftesën për intervistim të ambasadorit në Kroaci, Martin Berishaj

Mungesa e kuorumit ka bërë që të dështojë të premten mbledhja e Komisionit Hetimor për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, ku ishte planifikuar të intervistohej kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahun.

Kryetari i Komisionit, deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Driton Selmanaj, ka thënë se shumica e deputetëve nuk e kanë njoftuar për mungesën.

“Ne e kemi të pamundur që ta mbajmë mbledhjen pa kuorum. Vetëm deputeti Besian Mustafa ka lajmëruar se nuk do të jetë i pranishëm. Është jashtë vendit. Të tjerët nuk kanë njoftuar për mospjesëmarrje”, është shprehur Selmanaj.

Pas dështimit të mbledhjes, deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Abelard Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në pushtet, për bllokim të punës së Komisionit.

“Sot dështoi mbledhja e këtij Komisioni Hetimor si rezultat i mospjesëmarrjes së deputetëve nga mazhoranca, Lëvizja Vetëvendosje. Mendoj se askush nuk duhet të jetë kundër zbardhjes së të vërtetës dhe hedhjes në dritë mbi të gjithë zhvillimet që kanë ndodhur gjatë asaj periudhe, pra të importit të energjisë elektrike”, ka theksuar Tahiri.

Sipas tij, deputetët e pushtetit janë duke bllokuar edhe ftesat për intervistim për persona të ndryshëm, përfshirë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Në anën tjetër sot kishim për diskutim edhe një pikë të rëndësishme – ftesën për ambasadorin tonë në Kroaci, Martin Berishaj, që të vijë dhe të dëshmojë para Komisionit për implikimet e tij të cilat ne kemi i pretenduar gjatë kësaj krize energjetike dhe çështje të tjera po ashtu lidhen edhe për ftesa për akterë të ndryshëm që kanë qenë të involvuar në këtë proces, e që me gjasë përfaqësuesit e mazhorancës po kundërshtojnë në vazhdimësi që t’i ftojmë”, është shprehur Tahiri.

Lidhur me mungesën në Komision, të deputetëve të subjektit kryesor në pushtet, KOHA ka kontaktuar shefen e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila është edhe anëtare e Komisionit. Ajo ka thënë se nuk qëndron pretendimi i opozitës për mospjesëmarrjen e tyre në takim.

“Në mbyllje të takimit të fundit është diskutuar lista e të intervistuarve. Janë kërkuar argumente nga opozita për propozimet e tyre, por në vend të argumenteve jemi ballafaquar me akuza dhe fyerje. Unë personalisht e kam lëshuar takimin pasi nuk ka pasur më mundësi të vazhdohet me fyerje dhe shpifje nga përfaqësues të opozitës, të cilët synojnë të marrin rolin e prokurorit dhe gjyqtarit në të njëjtin proces”, ka thënë Kusari-Lila.

Komisioni, përveç kryesuesit të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahun, kishte paraparë të intervistonte edhe ish-drejtorin menaxhues të “Kosova Thëngjill”, Sylejman Hajdini.