LAJMET E MBRËMJES

Opozita në Prishtinë s’e voton planin zhvillimor, e quan të kundërligjshëm

Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Partisë Demokratike kanë lëshuar të enjten sallën e Kuvendit Komunal, duke pamundësuar kalimin e Planit Zhvillimor Komunal. Përfaqësues të këtyre dy partive e kanë kualifikuar planin si të vjetër dhe të kundërligjshëm. E kryetari, Përparim Rama, e ka akuzuar opozitën se është duke e penguar zhvillimin e kryeqytetit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me grupin e asamblistëve të Lidhjes Demokratike (LDK), kanë thirrur të enjten seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, në rend dite të së cilës, si pikë e vetme, ka qenë votimin i Planit Zhvillimor Komunal.

Por kundërshtimin për këtë plan opozita në kryeqytet, në krye me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe Partinë Demokratike (PDK), e ka shprehur duke e lëshuar sallën e Kuvendit.

Përfaqësues të këtyre dy subjekteve opozitare në Prishtinë kanë theksuar se plani është hartuar në kohën kur kryetar i Komunës ka qenë Shpend Ahmeti dhe se 28 pikat e tij janë shpallur të kundërligjshme nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI).

“Plani është nga qeverisja e Shpend Ahmetit, dokumenti si i tillë i sjellë këtu ka pasur devijime. Pra, jemi duke folur për një dokument që ka një mori shkeljesh procedurale dhe ligjore. Plani Zhvillimor Komunal është bërë pa analizë paraprake. Vijat ndërtimore pa analizë, hartat ekzistuese nuk janë në përputhje me standardet vendore dhe urbane”, ka thënë Leotrim Retkoceri, këshilltar nga radhët e PDK-së.

E këshilltari nga radhët e LVV-së, Gëzim Sveçla, e ka kualifikuar planin si me të meta.

“Ky plan ka shumë të meta përmbajtjesore. Për pak muaj do të hyjmë në vitin e fundit të mandatit të Ramës. Një person që në praktikë e ka dëshmuar që nuk ua do të mirën qytetarëve. Kjo qeverisje e ka pasur kohën e mjaftueshme për ta bërë një plan të mirëfilltë, por është dashur të merret me kontrata të paligjshme”, ka theksuar Sveçla.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit Rama ndaj kundërshtimeve të shprehura nga opozita. Ai e ka quajtur bojkot lëshimin e sallës nga asamblistët opozitarë, teksa e ka akuzuar opozitën se është duke e penguar zhvillimin e qytetit.

“VV-ja dhe PDK-ja u bënë bashkë për të bllokuar vënien në diskutim publik të Planit Zhvillimor të Prishtinës, i cili është dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e kryeqytetit për periudhën 2024 – 2032. Ky bojkot nga VV-ja dhe PDK-ja është në dëm të qytetarëve të Prishtinës, sepse ua pamundëson të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese për kontribut në këtë dokument të rëndësishëm”, ka theksuar Rama.

Ditë më parë edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e ka kundërshtuar draftin për Planin Zhvillimor teksa ka thënë se qëllimi nuk është plani si vizion, por si instrument për çështje të tjera dhe se ai nuk mund të hartohet pa rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë.

Plani Zhvillimor Komunal është një nga instrumentet e planifikimit, i paraparë me Ligjin për Planifikim Hapësinor. Ai i përcakton qëllimet afatgjata të zhvillimit ekonomik, shoqëror-social dhe hapësinor. 
Tentim për ta kaluar planin ka pasur edhe në seanca të mëparshme të Kuvendit Komunal.