Përfaqësues të partive opozitare kanë shprehur shqetësime për disa nga projektligjet që priten të miratohen të enjten e për mbarëvajtjen e seancës, që do të zhvillohet në një sallë alternative për shkak të rinovimeve që janë duke u bërë në Kuvend.
PDK-ja e LDK-ja kanë paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese, të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe atij për Këshillin Prokurorial të Kosovës, në qoftë se miratohen në versionet aktuale.
Sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në këto dy projektligje nuk janë marrë për bazë shqetësimet që janë adresuar.
“Ky projektligj ( i KPM-së) fatkeqësisht është një tendencë e kontrollit ndaj mediave online të cilin ne e kundërshtojmë jashtëzakonisht shumë. Një vend i cili është në një rrugëtim të angazhimit të integrimit në BE me miratu një projektligj të tillë të komisionit të pavarur për media online i cili ka për qëllim paqësor kapjen e mediave online dhe në anën tjetër po ashtu edhe diktimin e punës së këtij komisioni, është e papranueshme. Një gjë e tillë mund të ndodhë në Bjellorusi, mund të ndodhë në vendet diktatoriale mirëpo assesi në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
E sa i përket projektligjit për Këshillin Prokurorial, Tahiri ka thënë se me ndryshimet e bëra pas kthimit prapa nga Kushtetuesja, ai ende cenon pavarësinë e institucionit prokurorial.
“Tash ka ardh, jo i njëjti por prapë me problemet dhe telashet që i ka pas në atë periudhë të caktuar, të cilin e kemi dërguar në Kushtetuese dhe tash jemi duke e bërë analizën me këshilltarët tanë të grupit parlamentar në rast se prapë të njëjtin do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”.
Dërgimi në Kushtetuese është opsion edhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Këto do të kundërshtohen sigurisht në këtë seancë nëse nuk ka ndonjë logjikë dhe dakordim të deputetëve për ta ruajtur demokracinë apo për ta avancuar atëherë ne do të adresojmë këto çështje në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë deputeti Armend Zemaj.
Opozitarët shqetësime ngritën edhe për mbarëvajtjen e punimeve të seancave të Kuvendit, e të cilat të enjten do të zhvillohen në një sallë alternative, shkaku i renovimeve. Sipas Abelard Tahirit të PDK-së, do të duhej të kishte menaxhim më të mirë nga Kuvendi.
“Do të duhej me qenë një menaxhim pak më i mirë.. që kjo të ndodhte gjatë kohës sa jemi në kohën e periudhës së pushimeve, le të themi nga mesi i korrikut deri në fund të gushtit. Të ishte ajo periudha kur do të duhej me u sanu këto probleme që Kuvendi i ka tash e tri vjet, salla plenare i ka”.
Kurse Armend Zemaj i LDK-së kritika ka edhe për grumbullimin e pikave për shqyrtim e miratim nga seancat e papërfunduara.
“Ne kemi thirrje të një seance me 35 pika të grumbulluara dhe me një ambient ku kushtet e punës në këtë situatë dhe në këtë kohë janë goxha të pafavorshme me zhvillu një seancë të rregullt kuvendore ku deputetët mund të shprehin opinionet e tyre, debatet por edhe votimet”, ka thënë ai.
Shqetësimeve të opozitës, përgjigje nuk i dha pushteti. Deputeti i Vetëvendosje, Armend Muja, tha se që të dyja projektligjet mund të diskutohet në kuvend, e përmes amandamentimeve të arrihet deri te versioni përfundimtar i tyre. Të rëndësishme, Muja e ka zhvillimin e seancave e jo vendin e mbajtjes së tyre.
“Sa i përket sallës alternative, salla 506 që është ka pas rast që është mbajt seancë edhe në atë pjesë dhe besoj që komoditeti i deputeti për ca ditë nuk duhet të jetë në pyetje marrë parasysh rëndësinë që kuvendi të funksionojë”, ka thënë Muja.
Krahas projektligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave e atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të enjten në rend dite për shqyrtim janë edhe rreth 28 pika të tjetra. Mes tjerash edhe votimi i statutit të Universitetit të Prishtinës, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit, themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, shqyrtimi i Projektkodit të sjelljes për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës e ai i projekt-deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.