Opozita ka kritikuar Qeverinë për dështim në politikën e jashtme e për performancë të dobët sa i përket agjendës legjislative.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se vendi gjendet në një pozitë të rëndë sa i përket politikës së jashtme.
“Partia Demokratike e Kosovës është e vëmendshme për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi, sa i përket një situate jashtëzakonisht të rëndë me politikën e jashtme dhe kemi parashtruar tash e dy javë në Kryesi të Kuvendit. Mendoj që është një debat që i kontribuon vendit, por mbi të gjitha besoj që e zgjon Qeverinë nga kjo letargji e thellë në të cilën është futur ajo”, tha Deliu-Kodra.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për agjendën legjislative, duke thënë se ajo është një listë e dëshirave që nuk ka prodhuar kurrfarë efekti.
“Kërkesa ime sot për kryetarin e Kuvendit, për kryetaren e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ka qenë shumë e thjeshtë, mos i parkoni ligjet përmbajtjesore, duke përfshirë Ligjin e Pagave, edhe ligjet për ekonomi, edhe ligjet për reforma shtetërore, edhe ligjet për politikë të jashtme, mos i parkoni e t’i lini në një vend, punoni dhe sillni në Kuvend, për shkak se do të dështojmë, është shumica më e madhe parlamentare që e ka pasur dikush në histori të jetës parlamentare, është performanca më e dobët parlamentare dhe qeveritare që njihet ndonjëherë”, tha Tahiri.
Kritika kanë pasur edhe për punën e presidentes Vjosa Osmani, në njëvjetorin e saj në krye të shtetit. Deliu-Kodra ka vlerësuar se ka pasur raste kur të drejtat e qytetarëve janë cenuar e presidentja nuk ka qenë mjaftueshëm e zëshme.
Ndërsa Tahiri ka theksuar se më e keqja sa i përket presidentes Osmani lidhet me politikën e jashtme, duke thënë se në këtë aspekt ka ndodhur një persekutim politik.
Kryesia e Kuvendit ka vendosur për mbajtjen e dy seancave plenare, njëra të enjten e kësaj jave e tjetra të martën e javës që vjen.
Ndër ligjet që do të diskutohen të enjten janë ai për Zyrtarët Publikë e Ligji për festa zyrtare, ndërsa të martën e javës që vjen do të mbahet debati parlamentar për politikën e jashtme i thirrur nga PDK-ja.