Komisioni për buxhet ka shqyrtuar të hënën projektligjin që cakton lartësinë e pagës minimale. Dhe shqyrtimi i tij ka nxitur përplasje në Komision mes ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe deputetëve të opozitës. Përplasje Murati pati edhe me bashkëpartiaku, deputetin Eman Rrahmani
Shqyrtimi i projektligjit që cakton lartësinë e pagës minimale ka shkaktuar sërish përplasje në Komisionin për Buxhet mes ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe deputetëve të opozitës.
Deputetët opozitarë kërkuan që të largohet neni që ka të bëjë me veteranët dhe deri në kategorizimin e tyre të vlejë paga minimale që do të përcaktohet.
Por ministri Murati ka thënë se neni për përjashtimin e veteranëve nuk duhet të hiqet.
“Amendamenti që ju po kërkon fshirjen ka të bëjë me përcaktimin e një pensioni të dedikuar për veteranë. I jep mundësi që Qeveria të përcaktojë pension të veçantë. Nuk mendoj se është e nevojshme të hiqet ky nen”, ka theksuar Murati.
Kjo deklaratë nxiti reagimin e deputetëve opozitarë, të cilët e quajtën Muratin mashtrues.
“Ne nuk presim asgjë nga një ministër të cilit ia njohim qëndrimet ndaj kësaj kategorie. Një ministër që pretendonte se vendi mund të çlirohej me mercenarë. Si t’ju besojmë kur që për 13 muaj ky ligj qëndron në sirtarë”, ka deklaruar Ferat Shala, deputet i PDK-së
Ndërsa deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, i ka thënë Muratiti se është i zoti vetëm për ofendime e sharje.
“"Për kurgjo nuk je i zoti, asnjë reformë nuk e ke ba. Je i zoti vetëm për ofendime dhe për sharje”, ka theksuar Hoti.
Përplasje pati edhe mes deputetit të partisë në pushtet, Eman Rrahmani, dhe ministrit Murati, pas propozimit të deputetit që paga minimale të jetë 450 euro.
“Dua t’ju tregoj qytetarëve që kjo nuk do të ndodhë, këto propozime janë tallëse për qytetarët. Kjo qasje është joserioze”, ka theksuar Murari.
Ndwrsa Rrahmani ka thënë se propozimi është e drejtë e tij.
“Unë me drejtën time si deputet e kam propozuar, ju nuk e kontrolloni Kuvendin”, ka theksuar Rrahmani.
Pas diskutimit që zgjati disa orë, Komisioni ka përcjellë raportin me amendamente edhe te komisionet e tjera, e më pas pritet që të përcillet edhe në seancë për miratim.