LAJMET E MBRËMJES

Opozita fajëson Qeverinë se po rrezikon të mbetet pa grante nga Plani i Rritjes

Përderisa në Qeveri thonë se qasja destruktive e Serbisë në dialog mund ta pamundësojë shpërndarjen e mjeteve nga Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, në opozitë fajin për këtë ia adresojnë ekzekutivit. Sipas opozitës, mungesa e veprimeve nga Qeveria do t’ia pamundësojë Kosovës të përfitojë nga Plani 6-miliardë eurosh. Nga ky plan Kosova duhet të përfitojë gati një miliard euro, kurse Serbia 1.7 miliardë. Dy prej gjashtë miliardë eurove të planit janë grante, kurse pjesa tjetër kredi e butë

Sipas opozitës, Kosova rrezikon të mbetet pa fondet e parapara nga Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, e që janë të destinuara për transformimin ekonomik dhe demokratik të këtyre vendeve.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se mungesa e veprimeve nga Qeveria do t’ia pamundësojë Kosovës që të përfitojë nga Plani 6-miliardë eurosh.

“Shpresoj që Kosova mos të përjashtohet përfundimisht nga Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka BE-ja, por me këtë qasje që po shohim, vështirë të shohim diçka konkrete nga realizimi i këtij plani në rastin e Kosovës”, ka thënë Hoti. “Më vjen keq që sot nuk është materializuar, përdorur mbështetja e BE-së nga Qeveria e Kosovës, për të vazhduar autostradën deri në mendar, 22 km që ka qenë e paraparë si mbështetje për Kosovën, ndërkohë që Serbia është duke i shfrytëzuar këto fonde për të vazhduar autostradën deri në kufi”.

Për të përfituar nga Plani i Rritjes i BE-së shtetet duhet të plotësojnë disa kushte. Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare. Për të marrë mbështetje, vendet e rajonit duhet të përgatisin një agjendë reformash që do të kontribuojnë në përafrimin progresiv dhe të vazhdueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Kur parakushtet për mbështetje nuk plotësohen ose nuk plotësohen më, BE-ja mund të vendosë të pezullojë lirimin e fondeve.

Për Kosovën dhe Serbinë ka edhe kushte shtesë, e që kanë të bëjnë me konstruktivitetin në dialog. Sipas vendimit të miratuar, “dy vendet duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me qëllim zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme për dialogun dhe t'i bashkohet negociatave për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”.

Ditë më parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova mund të penalizohet në këtë pikë, pasi Serbia ka qasja destruktive në dialog, dhe kjo mund ta pamundësojë shpërndarjen e mjeteve.

Nga ky plan, Kosova duhet të përfitojë gati një miliard euro, kurse Serbia 1.7 miliardë. Dy prej gjashtë miliardë eurove të planit janë grante, kurse pjesa tjetër kredi e butë. Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave.

Kosova mbeti jashtë granteve të BE-së edhe vitin e kaluar, pasi Komisioni Evropian vendosi masa ndëshkuese për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.

Këto masa, sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, duhet të hiqen.

“Kjo qeveri na ka sjellë sanksionet dhe BE-ja nuk duhet ta sanksionojë Kosovën për hir të një kryeministri, sepse në pyetje janë qytetarët e Kosovës, prandaj ka ardhur koha të hiqen këto masa”, ka thënë Lekaj. 

Sipas opozitës, shteti ka humbur rreth 300 milionë euro nga këto masa, por në partinë në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë se bëhet fjalë për vetëm shtatë milionë euro. Deputeti nga radhët e LVV-së, Armend Muja, ka thënë se janë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e këtyre masave.

“Këto masa të padrejta gjithmonë kanë një implikim. Ne kemi pasur javën e kaluar një sqarim nga zyra në kuptim të projekteve të BE-së, mund të jenë afektuar rreth shtatë milionë euro të projekteve të drejtpërdrejta”, ka thënë ai. “Mirëpo sa u përket investimeve të huaja direkte, ajo çfarë dimë është vetëm te raportet e Bankës Qendrore, të fundit e kemi raportin tremujor në të cilin pak a shumë thotë që këto investime janë pak në nivelin e njëjtë me tremujorin e parë të dy viteve paraprake”, ka shtuar Muja.

Më 18 qershor, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ua dorëzoi vendeve anëtare raportin me rekomandimin për heqje të masave ndaj Kosovës. Por jo të gjitha shtetet u pajtuan për heqjen e menjëhershme të tyre. Sipas burimeve të KOHËS në Bruksel, pos shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë, kundër heqjes së masave janë shprehur edhe Italia e Franca.