LAJMET E MBRËMJES

Opozita e quan të paaftë Nagavcin, thotë se subvencionimi i librave është më i kushtueshëm

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kritikuar Ministrinë e Arsimit mbi vendimin për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore. Të paaftë e kanë quajtur ministren në kryerjen e obligimeve ligjore, si dhe kanë theksuar se kjo metodë është më e kushtueshme për buxhetin e shtetit.

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë kritikuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore.

Në një konferencë për media nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besianë Musmurati, tha se kjo metodë është më e kushtueshme për buxhetin e shtetit.

“Nëse e marrim një mesatare që çdo nxënës do të subvencionohet me nga 95 euro, atëherë i bie që buxhetit të shtetit do t’i kushtojë 20 milionë e 776 mijë mijë euro pajisja me libra. Pra edhe vonë, edhe gati trefish më shtrenjtë se nga vitet e kaluara. Për shembull, librin e abetares me shumicë Ministria më herët e ka blerë me rreth 7 euro, kurse vitin e kaluar prindërit në librari e kanë blerë me rreth 11 euro”, ka deklaruar ajo.

Ajo shtoi se kjo do të krijojë vonesa në nisjen e procesit mësimor.

E të njëjtit mendim si Musmurati është edhe anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Sadriu-Lushaku, e cila është drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Ajo e quajti të paaftë ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë që për herë të dytë Ministria e Arsimit dështon të sigurojë librat shkollorë për nxënësit e Kosovës dhe kjo tregon që kjo ministri është e paaftë të përmbushë obligimin e saj ligjor për t’i siguruar librat. Tekefundit nuk është e rëndësishme sa para marrin prindërit, por a i kanë fëmijët librat në banka më 1 shtator”, ka deklaruar Sadriu-Lushaku.  

Opozita kritikoi MASHT-in se edhe vitin e kaluar e ka shfrytëzuar buxhetin e ndarë për digjitalizimin e sistemit arsimor për t’i subvencionuar prindërit.

Këtë vit Ministria e Arsimit ka planifikuar aktivitetin e prokurimit për blerjen e librave me vlerë prej 9.4 milionë euro. Ndërsa ekzekutivi në mbledhjen e së mërkurës ka ndarë edhe 6.5 milionë euro për t’i subvencionuar prindërit në blerjen e teksteve shkollore.