LAJMET E MBRËMJES

Opozita e pushteti në Gjilan thonë se janë dakorduar ta votojnë buxhetin

Në mungesë të kuorumit, komuna e Gjilanit nuk ka arritur as të mërkurën ta miratojë projektbuxhetin, ani pse kanë mbetur edhe dy ditë deri në përfundimin e afatit. Por pasi dështoi seanca e thirrur nga kryetari i komunës, Alban Hyseni, opozita e pushteti në Gjilan kanë thënë se janë dakorduar që të enjten ta votojnë buxhetin për vitin 2025

Pushteti e opozita në Gjilan dy ditë para se të kalojë koha për ta miratuar buxhetin për këtë vit, janë dakorduar që ta votojnë atë. 

Pajtimi u bë pasi përpjekjet e kryetarit të komunës, Alban Hyseni, për miratimin e buxhetit pa mbështetjen e opozitës dështuan edhe këtë të mërkurë në seancën e thirrur nga ai.

Seanca dështoi në mungesë të kuorumit, e asaj nuk iu përgjigj as kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu, i cili i përket opozitës.

Seancën e shpalli të mbyllur këshilltari më i moshuar, Ismajl Kurteshi, i cili u bëri thirrje asamblistëve që ta votojnë buxhetin, për siç ka thënë, në të mirë të qytetarëve.

“Mundësia për t’u votuar buxheti ekziston. Lërini konferencat për shtyp dhe paraqitjen se e doni Gjilanin e nuk e doni Gjilanin, e unë kam të drejtë, e unë nuk kam të drejtë. Fajtor janë të gjithë”, ka thënë Kurteshi.

Pas dështimit të seancës, kryetari Hyseni ka mbajtur konferencë për medie, gjatë së cilës ka akuzuar opozitën dhe kryesuesin e Kuvendit, Kushtrim Kadriu, se nuk ka ftuar seancën pavarësisht kërkesës së ekzekutivit.

“Ftesën e kemi dërguar dje dhe deri sot kur është mbajtur kjo seancë urgjente. Kryesuesi i Kuvendit nuk e ka dërguar ftesën ose thirrjen tek asamblistët, pra e ka  refuzuar atë. Fillimisht e ka refuzuar ftesën ose kërkesën tonë me shkrim, duke thënë që nuk e fton seancën”, ka thënë kryetari Hyseni.

Por asamblisti i LDK-së, Gentrit Murseli, deklaroi se kryesuesi i Kuvendit ka vepruar sipas rregullores, pasi seanca për të njëjtën çështje do të mbahet të enjten në orën 10:00.

“Kryesuesi i Kuvendit ka pasur të drejtë që nuk e ka thirrur seancën për ditën e mërkurë, sepse një seancë e jashtëzakonshme për të njëjtën çështje, për të njëjtën arsye do të mbahet ditën e enjte nga ora 10:00. Kryetari i komunës pas atyre akuzave që i ka bërë, krejtësisht të paarsyeshme në drejtim të kryesuesit të Kuvendit, i bie që ka rënë në kundërshtim me vetveten”, ka thënë Murseli.

Megjithatë, pas disa dështimeve, Hyseni ka njoftuar se është arritur një marrëveshje me LDK-në dhe PDK-në për miratimin e buxhetit, i cili pritet të votohet në seancën e së enjtes.

Komuna e Gjilanit është e vetmja që nuk e ka miratuar buxhetin e 2015-s. Nëse dështon ta bëjë brenda muajit, përgjatë një viti ajo do të operojë bazuar në projeksionet buxhetore të vitit të shkuar, ndërkaq mund të organizohen zgjedhje të parakohshme për Kuvendin Komunal.