LAJMET E MBRËMJES

Opozita e ndarë për dërgimin e presidentes në Kushtetuese për mosdekretimin e Isufajt

Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që të enjten të diskutohet për raportin e Komisionit Evropian. Po ashtu, në këtë seancë do të tentohet sërish kalimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Pas mbledhjes së Kryesisë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se shkaku i mosunitetit, opozita ka dështuar ta dërgojë në Kushtetuese presidenten Vjosa Osmani për rastin e mosdekretimit të Blerim Isufajt për kryeprokuror

Partitë opozitare kanë dështuar ta dërgojnë në Kushtetuese presidenten Vjosa Osmani për rastin e mosdekretimit të kandidatit për kryeprokuror, Blerim Isufaj.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se subjekti që i përket dhe AAK-ja ishin të gatshëm por jo edhe LDK-ja.

“Fatkeqësisht kemi dështuar ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese presidenten Vjosa Osmani për çështjen e mosdekretimit të Blerim Isufajt si kryeprokuror të shtetit si rezultat i mosunifikimit të opozitës. Si grupe parlamentare, PDK dhe AAK kanë qenë të gatshme të nënshkruanin por jo edhe LDK. Osmani ka shpëtuar nga shkeljet që ka bërë”, tha Abelard Tahiri.

E, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, u shpreh se çështja është në proces.

“Procesi është në zhvillim e sipër, me sa di Këshilli Prokurorial e ka ridërguar emrin e kandidatit për kryeprokrur të shtetit. Çështja është ende në proces, do të shohim kur të përfundon procesi në tërësi”, tha Gashi.

Gashi ka përmendur edhe vizitën e sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke kërkuar nga kryeministri që të mos krijojë panik.

“Uroj të mos jetë një deklaratë e tentimit populisit të frikësimit të qytetarëve në mënyrë që të mbajë të mobilizuar për interesa partiake dhe politike. Nëse do të kishte një situatë të tillë do të ishte fatkeqësi për Kosovën”, tha Gashi.

Ai iu referua deklaratës të së dielës të Kurtit, ku tha se Milan Radoiçiqi me mbështetje të shtetit serb po e përgatit grupin terrorist për sulm të ri ndaj Kosovës.

E shefi i GP të PDK-së, Tahiri, teksa foli për draftstatutin e Asociacionit, tha se Kurti duhet të përgjigjet pse u la të largohej Milan Radoiçiq.

“Para se të na tregojë kryeministri se çka po bën Radojiçiqi në Rashkë, ai duhet të na tregojë se pse e la me ikë Radojiçiqin”, tha Tahiri.

Të enjten, në Kuvend pritet të diskutohet rreth raportit të Komisionit Evropian. Nga pushteti u është bërë thirrje deputetëve opozitarë që të votojnë pro marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat do të jenë në rend të ditës në seancën e radhës.