Komisioni parlamentar për Administratë Publike ka rekomanduar që të merret në konsideratë kërkesa e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civilë, përpara se projektbuxheti i vitit 2025 të miratohet në Kuvend edhe në lexim të dytë. Deputetë opozitarë e kanë kritikuar Qeverinë se në projektbuxhet ka paraparë mjete të pamjaftueshme për institucionet e pavarura
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civilë e ka vlerësuar të pamjaftueshme shumën, të cilën për të e ka paraparë Qeveria në projektbuxhetin për vitin 2025.
Në kërkesën për ndryshim të buxhetit, të cilin Këshilli e ka dërguar në Komisionin parlamentar për Administratë Publike, theksohet se rreth 600 mijë eurot e parapara nuk mjaftojnë, pasi që është rritur numri i anëtarëve të kësaj trupe.
Deputetë opozitarë që janë anëtarë të Komisionit kanë kritikuar të mërkurën Qeverinë për buxhet të vogël për institucionet e pavarura.
Mërgim Lushtaku, deputet i Partisë Demokratike (PDK), ka numëruar edhe institucione të tjera të pakënaqura me ndarjet buxhetore.
“Kemi në mbikëqyrje Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, Radio Televizionin e Kosovës, e kemi KPM-në, pastaj edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal. Këtë shqyrtim dhe këto mundësi t’i japim për dy ditë është e padrejtë, sepse ky projektligj dhe çdo projektligj duhet të ketë kohën e mjaftueshme që të përgatiten institucionet që të dërgojnë shkresat e duhura për t’i paraqitur që të ketë një funksionim të mirëfilltë”, ka theksuar Lushtaku në Komision.
E, deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Agim Veliu, është ankuar për mungesë kohe që komisioni ka në dispozicion për të analizuar draftbuxhetin.
“Nuk ia vlen që të diskutohet në mbledhje të tilla, për një temë kaq të rëndësishme, sikurse është buxheti, sepse është një nguti e panevojshme. Me kërkesën e KPMSHCK-së, e argumenton atë që po e them unë. Kjo është një kërkesë e arsyeshme dhe rritja e buxhetit është dashur që të pasqyrohet në buxhet”, ka thënë ai.
Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Besim Muzaqi, ka insistuar se buxheti i propozuar është i mjaftueshëm për të gjitha institucionet.
“Shqetësim do të duhej të ishte, sikur të kishte vonesa. Është buxhet rekord për nga shifrat. Ne garantojmë që secili institucion se si ka funksionuar pa mungesa, nuk do të mbeten keq, do të ndahen mjete të mjaftueshme”, ka thënë Muzaqi.
Buxheti i paraparë për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro. Të hënën, Kuvendi e ka miratuar atë në parim, dhe deri në leximin e dytë do të mund të përgatiten amendamente nga komisionet parlamentare dhe deputetët veç e veç.