Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK). Ato kanë pretenduar se me këto ndryshime ka shkelje serioze të cilat nuk e kalojnë testin e kushtetutshmërisë
Me pretendime për shkelje të Kushtetutës dhe tentim të pushtetit për kapje të pozitave të larta drejtuese, dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike kanë atakuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).
Përfaqësues të këtyre dy partive kanë thënë se kanë evidentuar shkelje serioze e të cilat sipas tyre, nuk do ta kalojnë testin e kushtetutshmërisë.
Koordinatori për drejtësi në kabinetin për qeverisje të mirë të PDK-së, Përparim Gruda ka përmendur rastin kur PDK-ja ka kontestuar shkarkimin e anëtarëve të Këshillit për çka Gjykata i kishte dhënë të drejtë.
Ligji i miratuar javën e kaluar sipas tij, shkel ato përcaktime që ka bërë Gjykata.
“Këto veprime të Qeverisë kanë vetëm një qëllim, ta nënshtrojnë dhe ta kapin Këshillin e Pavarur për Shërbyesit Civilë, në mënyrë që ai të kthehet në një mekanizëm që nuk i ndalon dhe i përkrah punësimet familjare të qeveritarëve të Kosovës”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, Qeveria dëshiron ta zhveshë këtë organ nga kompetencat kushtetuese në një rrugë sipas tij, jokushtetuese.
“Unë mendoj që përkushtimi themelor që duhet të ketë çdo parti në Kosovë, është mbrojtja e Kushtetutës së Kosovës. PDK-ja nuk do të ndalet në këtë drejtim”, ka thënë Gruda.
Edhe avokati Faton Fetahu, ka thënë se janë të paktën katër shkelje me këtë ligj, të cilat PDK i ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe të cilat pret të rrëzohen aty.
“E para, pushteti zgjodhi që të propozojë zhveshjen nga imuniteti të të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Imuniteti është instrument kushtetues që ua garanton Kushtetuta. E dyta, shumica parlamentare ka propozuar që të përjashtohen nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ana e Këshillit pozitat e nivelit të lartë drejtues. Janë mijëra pozita të tilla që përjashtohen nga kontrolli, në mënyrë që të mundësohet kapja dhe nënshtrimi i institucioneve përmes veprimeve të shpejta”, ka thënë ai.
Shkelja e tretë sipas Fetahut, është rritja e numrit të anëtarëve të këshillit nga 7 në 15.
“Kjo rritje e numrit ka për qëllim të dërgojë militantët partiakë në këtë Këshill, që të kenë mbivotim në çështjet që ata dëshirojnë. Dhe, po ashtu, e katërta, është propozimi për pezullimin e vendimeve të Këshillit, nëse të njëjtit atakohen nga Qeveria në Gjykatë. Vendimet e Këshillit gjithmonë zbatohen, pavarësisht nëse lënda shkon në Gjykatë”, ka thënë Fetahu.
Gruda dhe Fetahu janë zotuar se Partia Demokratike e Kosovës “do të jetë gjithmonë vigjilente karshi tendencave të pushtetit për të shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha ato tendenca do t’i adresoj në Kushtetuese”.
E pas PDK-së, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar në Kushtetuese kërkesën për vlerësim të ligjshmërisë së Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ky ligj është në shkelje kushtetuese në disa nga shtyllat e tij kryesore.
“Drejtësia kushtetuese është shtylla e garantimit të sistemit demokratik, dhe kjo thirrje për një vlerësim të thelluar është hapi i parë drejt sigurisë së mëtejshme të demokracisë sonë.
“Ne duhet të ruajmë integritetin e Kushtetutës dhe të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe transparente”, ka thënë ai.
Ky ligj është kritikuar edhe nga organizata të shoqërisë civile, të cilat i kanë kërkuar Kuvendit, përkatësisht deputetëve që të mos e votojnë atë. Instituti i Kosovës për Drejtësi kishte theksuar se nuk ka asnjë dispozitë të vetme të ligjit e cila nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se si i tillë nuk duhej të miratohej nga Kuvendi.
Ligji për Këshillin nuk është i vetmi që është atakuar në Gjykatën Kushtetues nga partitë opozitare. Së paku 8 kërkesa të tilla për ligje të ndryshme janë bërë vitin e kaluar dhe këtë vit, për disa prej të cilave Gjykata ka konstatuar se ka pasur shkelje të Kushtetutës.