LAJMET E MBRËMJES

Opozita akuzon Qeverinë se po e rrezikon partneritetin me SHBA-në

Deputetë opozitarë kanë ngritur shqetësime në seancën e Kuvendit se Qeveria e Kosovës është duke e rrezikuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje Partia Demokratike ka kërkuar konsensus me pjesën tjetër të opozitës për veprime që do të çonin në shkurtim të mandatit të Qeverisë Kurti. E nga pushteti u ankuan për masat e BE-së, derisa thanë se reagimet për ndalimin e dinarit të Serbisë kanë të bëjnë me shqetësimin e Perëndimit për mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë

Paralajmërimi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, ka nxitur reagime të opozitës në Kuvend kundrejt Qeverisë për rrezikim të partneritetit me SHBA-në.

O’Brien është shprehur të mërkurën se SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si partnere nëse ajo nuk e konsideron SHBA-në si të tillë.

Në seancën e së enjtes të Kuvendit shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se është e paimagjinueshme që 16-vjetori i Pavarësisë ta gjejë Kosovën nën sanksione të Bashkimit Evropian e nën kërcënime të SHBA-së për shkëputje të partneritetit.

“Nuk mund të rrimë duarkryq karshi kësaj situate. Edhe ne si deputetë të opozitës në këtë Kuvend duhet të marrim përgjegjësitë tona dhe me të gjitha mjetet e mundësitë që i kemi në dorë, gjithmonë demokratike, duhet të angazhohemi që t’ia shkurtojmë jetën kësaj qeverie”, ka thënë Tahiri.

Kritika pati edhe deputetja e Lidhjes Demokratike, Rrezarta Krasniqi. Ajo numëroi paralajmërimet, reagimet e kritikat që së fundmi aleatë të Kosovës i kanë dhënë për Qeverinë sa i përket vendimit për ndalimin e dinarit përmes Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

“Të gjitha këto paralajmërime dhe mesazhe që vijnë nga aleatët tanë përbëjnë shqetësime të mëdha për të ardhmen e vendit tonë. Dhe, krejt ky rezultat vjen si pasojë e asaj që ky pushtet e sheh shtetin e Kosovës si diçka të përkohshme”, ka thënë ajo.

Qëndrimi i pushtetit përballë kritikave

Ndërkaq raportet e Qeverisë me ndërkombëtarë i ka quajtur eksperiment kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Ka një eksperimentim dhe ka një mungesë te leximit të historisë së Kosovës. Historia e Kosovës i ka tri etapa. Etapën e presidentit Ibrahim Rugova, etapën e luftës së UÇK-së dhe etapën e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai.

Por, paralajmërimet e ndërkombëtarëve shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, i ka interpretuar si brengë e Perëndimit për rrezikim të demokracisë, orientim nga i cili tha se Kosova asnjëherë nuk ka devijuar. Është ankuar edhe për masat ndëshkuese të BE-së që vazhdojnë të jenë në fuqi.

“Reagimet e miqve dhe partnerëve nuk kanë të bëjnë me parimin e vendimeve të marra apo moskushtetutshmërinë e tyre, por me shqetësimin për njëanshmërinë e vendimmarrjes dhe mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë. Këto shqetësime nuk kanë të bëjnë me orientimin e shtetit tonë. Kosova nuk ka devijuar në asnjë moment nga orientimi paqësor dhe rreshtimi me vlerat demokratike”, është shprehur ajo.

Reagimi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit u bë pasi Kosova mori vendim për të mos e lejuar përdorimin e asnjë valute tjetër pos euros, për operacione me para të gatshme.

Dështimi i votimit të amendamenteve kushtetuese dhe marrëveshjeve ndërkombëtare

Tri amendamente kushtetuese që do t’i hapnin rrugë procesit të vettingut në drejtësi nuk janë nxjerrë për votim në Kuvend në mungesë të deputetëve të Listës Serbe.

Për ndryshimet kushtetuese duhen 80 vota, përfshirë dy të tretat e votave të deputetëve nga komunitetet.

Këto amendamente parashohin që gjyqtarët dhe prokurorët mund të largohen nga sistemi për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës, performancës së dobët në vazhdimësi dhe për shkak të pasurisë së pajustifikueshme.

Nga partitë opozitare e ato në koalicion qeverisës pati konsensus për mbështetjen e amendamenteve, por u shprehën kritika për mënyrën se si Vetëvendosje tentoi ta zbatonte këtë proces.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ofrimi i konsensusit opozitar për këtë proces është bërë për t’i dhënë edukim politik pushtetit aktual.

“Krejt ideja e tyre ka qenë ide përmbysëse, ide revolucionare, të cilat do të duhej të zbatoheshin në mënyrë arbitrare për sa është e mundur me ligjet të cilat mund të kalohen me shumicën e thjesht nga shumica qeverisëse”, ka thënë ai.

E shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur se është e rëndësishme që nga ky proces të mos pakësohen të drejtat e njeriut.

“Gjyqësori edhe kësaj dite vazhdon të jetë i cenueshëm dhe cenueshmëria është për shkak të përkrahjes politike ndër vite dhe këto vitet e fundit që nuk ia kemi dhënë”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkaq deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, dha disa nga arsyet se pse vettingu në drejtësi, sipas tij, është domosdoshmëri.

“Sistemi vuan nga gjyqtarë e prokurorë joprofesionistë. Dikush mund te thotë se ky vetting është jo i plotë se prek vetëm kokat e sistemit, por po harrojnë që aty është i gjithë problemi”, është shprehur ai.

Integritetin profesional të gjyqtarëve e prokurorëve në seancë e ka mbrojtur deputeti Pal Lekaj, që së fundmi u dënua nga gjykata me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi” në kohën sa ishte ministër.

“Për 20 vjet ky sistem është ndërtuar nga shumë profesionistë nga ata që janë munduar të kemi pushtete të ndara dhe që të hidhet poshtë gjithë ai mund i këtij sistemi mendoj që është e papranueshme”, ka theksuar Lekaj.

Ky proces nxiti edhe një polemikë mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e deputetes së LDK-së, Doarsa Xhelili-Kica.

“The që nuk e ke besimin e partnerëve ndërkombëtarë apo nuk e keni pasur. Për mua është e rëndësishme që ta kemi besimin e qytetarëve të Kosovës. Kjo është çështja kryesore”, u shpreh ministrja.

Por Xhelili-Kica deklaroi se Haxhiu nuk është duke e zbatuar vetingun që ua kishte proklamuar qytetarëve.

“Dil e tregoju qytetarëve pse duke e zbatuar opinionin e Komisionit të Venecias, që janë ndërkombëtarë, nuk po e mban premtimin që ua dhe qytetarëve tu për vettingun. Sepse kjo që e keni sot para vetes është larg, larg asaj që keni synuar të bëhet”, deklaroi ajo.

Deputetët të enjten dështuan të votojnë edhe nëntë marrëveshje ndërkombëtare për shkak të mungesës së kuorumit prej 80 deputetësh në sallë.