LAJMET E MBRËMJES

Operonin pa licencë, Policia mbyll disa objekte ku vepronte Posta e Serbisë

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion policor në veri të vendit, përkatësisht në nëntë objektet e Postës së Serbisë. Aksioni ka filluar pas një informate të pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare se në atë pjesë janë duke e ushtruar veprimtarinë disa operatorë ekonomikë pa licencë. E kjo u kundërshtua nga disa aktivistë politikë

Disa objekteve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës u është vendosur dryni të hënën, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia. Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, aksioni ka filluar pas një informate të pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare se në atë pjesë janë duke e ushtruar veprimtarinë disa operatorë ekonomikë pa licencë.

“Pas një shkrese/informate të pranuar nga ARKEP, se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe të paregjistruar në ARBK, njësitet policore kanë shkuar për verifikim të këtij informacioni. Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë me ç’rast policia ka njoftuar Prokurorinë e Shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve të tij”, ka treguar Elshani. 

Sipas një njoftimi të Policisë deri më tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore”, është thënë në njoftimin e Policisë. 

Në disa lokacione ku Policia zhvilloi aksionin u panë edhe përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX. 

Para objektit të Postës kryesore të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, u zhvillua edhe një aksion simbolik. Disa anëtarë të partisë “Demokracia serbe” kundërshtuan aksionin, duke hedhur zarfe në drejtim të policisë së Kosovës. 

Posta e Serbisë shërben për serbët e Kosovës për kryerjen e pagesave të ndryshme prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.

Sipas Radio Evropa e Lirë, përveç komunave në veri të banuara me shumicë serbe, Posta operon edhe në zonat e banuara me serbë, në jug të Ibrit. 

Ky nuk është aksioni i parë i Policisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve që funksionuan kundërligjshëm. Në maj të këtij viti janë mbyllur gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të vendit. 

Veprimi erdhi pas një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës, ku euroja u vendos si valuta e vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme, e u ndalua dinari. 

BQK-ja ka thënë më 13 maj se pas përmbylljes së periudhës transitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Shtetet e Quintit patën kritikuar BQK-në dhe qeverinë për këtë vendim, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë.


Për Beogradin veprimi i policisë është i jashtëligjshëm e jo i Postës së Serbisë

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – e ka konsideruar aksionin e Policisë në objektet ku jashtëligjshëm operonte Posta e Serbisë si “vazhdim të planit për spastrim etnik të veriut nga çdo gjë që ka prapashtesën serbe”.
“Heqja e shërbimeve postare pas heqjes së dinarit është goditja më e rëndë për funksionimin e institucioneve serbe dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët në këto zona”, është thënë në deklaratën e kësaj partie. “Kurti thjesht po vlon nga zemërimi që pas të gjitha veprimeve antiserbe dhe shtypjes së popullit serb, serbët ende qëndrojnë sfidues në veri”.  
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka konsideruar aksionin e Policisë së Kosovës si "kundërligjor" dhe e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se kështu "provokon drejtpërdrejt një konflikt të armatosur", shkruan REL.