LAJMET E MBRËMJES

OEK-u kërkon ndihmën e Avokatit të Popullit për pezullimin e vendimit të ZRRE-së

Oda Ekonomike e Kosovës

Pezullimin për të paktën një vit të vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë e ka kërkuar Oda Ekonomike, nëpërmjet një shkrese drejtuar Avokatit të Popullit. Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë e përjashtuan këtë mundësi. E njohësit paralajmëruan se kalimi i bizneseve me mbi 50 punëtorë apo me qarkullim mbi 10 milionë euro në treg të hapur, do të ndikojë në koston e produkteve dhe shërbimeve

Oda Ekonomike i është drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit me kërkesë për të iniciuar lëndë në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që e parasheh kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë.

ZRRE-ja ka kërkuar që kompanitë me mbi 50 punëtorë apo me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të kalojnë në treg të hapur nga 1 qershori.

Por në Odë kërkuan që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet për të paktën një vit.

“Kjo kërkesë vjen me qëllim mbrojtjen e bizneseve nga rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike, e cila do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit apo shërbimit. Një rritje e tillë do të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, duke ulur gjithashtu standardin jetësor të qytetarëve”, thuhet në kërkesën e Odës.

Por kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, e përjashtoi këtë mundësi.

“Asnjë arsye deri më tani nuk ka për shtyrje të këtij afati, meqenëse kemi paralajmëruar edhe vitin e kaluar që afati i fundit që do të furnizohen me tarifa të rregulluara ka qenë 31 marsi. Me qëllimin e mirë për të diskutuar bashkërisht edhe me bizneset, e kemi shtyrë këtë afat deri më 1 qershor”, ka thënë ai.

Si pjesë e Ligjit për energjinë elektrike, vendimi i 2017-s, që është shtyrë disa herë, nënkupton se bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin me rrymë.

Adhurim Haxhimusa, njohës i fushës së energjisë, thekson se ky vendim duhet të rivlerësohet pasi, siç thotë, kriteret e para tetë vjetëve nuk përkojnë më me gjendjen aktuale ekonomike. E ai paralajmëron se vendimi mund të reflektojë edhe në koston e produkteve dhe shërbimeve.

“Meqenëse burimet e tjera të energjisë bizneset nuk përdorin, çdo rritje të energjisë elektrike çon edhe në rritje drejtpërdrejt të kostos së produkti që i ofrohet qytetarëve të Kosovë. Të gjitha këto kosto do të merren dhe do të transferohen te qytetarët, prandaj duhet të llogaritim këtë vendim, që faktikisht çmimet e një numër të produkteve do të rritet”, ka thënë Haxhimusa.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, 748 biznese në Kosovë kanë mbi 50 punëtorë, ndërsa 318 kanë qarkullim mbi 10 milionë euro.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që dalin në tregun e liberalizuar të energjisë, mund të furnizohen nga çdo kompani vendore që posedon licencë ose nga kompani të huaja.