Ndihmëssekretari amerikan për çështje të Evropës dhe Euroazisë, James O’Brien, gjatë një brifingu me gazetarë ka thënë se SHBA-ja e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë përsëritjen e një sulmi të ngjashëm sikurse ai në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator. Ai u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli dhe t’i zbatojnë marrëveshjet për të cilat janë dakorduar
Shmangie nga aktet e dhunës dhe zbatim të shpejtë të marrëveshjeve të Brukselit ka kërkuar prej Kosovës dhe Serbisë ndihmëssekretari amerikan për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, James O’Brien.
Gjatë një brifingu me gazetarë të enjten, diplomati amerikan ka theksuar se fokusi i Shteteve të Bashkuara në Ballkan është rreth Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Tek ka përmendur rëndësinë e bashkëpunimit midis Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, ai u ka përçuar palëve edhe një porosi.
“Kosova e Serbia duhet t’i shmangin aktet provokuese në veri. Jemi të kënaqur me bashkëpunimin mes Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it. Deri tash ka qenë i mirë. Po ashtu edhe komunikimi me Beogradin në funksion të sigurisë. Presim të vazhdojmë të ketë diskutime transparente e të hapura gjatë muajve të ardhshëm. Sa i përket sulmit të 24 shtatorit të grupit që kishte hyrë në veri me shumë armatim, të dyja palët e kanë të qartë se nuk do të lejohet të ndodhë më”, ka thënë O’Brien, i cili ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambouillet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 1999.
Ai ka përsëritur se Bashkimi Evropian e ka mbështetjen e SHBA-së për t’i çuar palët drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
“Fuqimisht e mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak. I ftojmë të dyja palët që t’i rikthehen me përgjegjësi dialogut. Përshëndesim arritjet që janë tërësisht teknike, sikurse çështja e targave. Por këta hapa tregojnë se mund të ecet përpara. Shumë domethënëse që në fund të vitit të kaluar, Këshilli Evropian foli për perspektivë të qartë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo ofron shumë mundësi për këto vende, kur dihet se njerëzit e tyre po ikin drejt vendeve të Evropës. Duhet krijuar mundësi, prandaj jam i inkurajuar me angazhimet e BE-së për rritjen ekonomike”, ka deklaruar O’Brien.
Sa i përket Serbisë, O’Brien i ka përmendur dyshimet rreth keqpërdorimit të zgjedhjeve të 17 dhjetorit, duke shtuar se SHBA-ja i mbështet protestat paqësore të opozitës serbe.
“Qeveria e re e Serbisë të përfshijë opozitën, në këtë kuptim mirëpresim protestat paqësore të njerëzve që mendojnë se zgjedhjet nuk ishin të drejta dhe fer. Shqetësimet e ngritura nga ODIHR do t’i diskutojmë me Serbinë”, ka shtuar O’Brien, teksa i ka kritikuar subjektet opozitare në Serbi që “nuk ofrojnë asgjë tjetër përveç nacionalizmit”.
Duke folur për zhvillimet e fundit në Bosnjë-Hercegovinë, diplomati amerikan ka thënë se Washingtoni zyrtar e mbështet integritetin e këtij shteti, teksa ka bërë thirrje për shmangie të retorikës nxitëse.
Vitin 2024 ai e ka kualifikuar si sfidues, pasi që në pjesë të ndryshme të botës do të ketë zgjedhje të reja, përfshirë SHBA-në dhe BE-në. Sipas tij, me rëndësi është që qeveritë të dëshmojnë përgjegjësi në raport me qytetarët e tyre dhe të ruhet stabiliteti i tregjeve botërore.
“Një temë që është gjithmonë ka të bëjë me angazhimin për ruajtjen e tregjeve në botë. Pas sulmit të Rusisë është reduktuar eksporti i Ukrainës dhe kjo ka ndikuar në tregjet globale. Vitin e kaluar, Rusia u përpoq sërish që t’i bllokojë eksportet ukrainase, prandaj tani po punojmë me BE-në, Turqinë e vendet e tjera për t’u siguruar se Ukraina do të eksportojë”, ka theksuar O’Brien.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara deri më tash i kanë ofruar ndihmë financiare Ukrainës në vlerë prej 74 miliardë dollarësh.