LAJMET E MBRËMJES

O’Brien: Kosova e Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet për hir të integrimit evropian

Ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien në një intervistë për “Kurir” ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet për hir të integrimit evropian. E ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se përparimi i mëtejshëm në dialog është e vetmja rrugë për Kosovën dhe Serbinë drejt Bashkimit Evropian

Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet për hir të integrimit evropian, ka thënë ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në një intervistë për mediet në Serbi, O’Brien ka theksuar se kjo është mënyra për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja shteteve.

“Përfundimi mes Kosovës dhe Serbisë është se ekziston një mënyrë normale evropiane për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Vitet e fundit, liderët duhej të binin dakord për çdo hap të vogël, falë të cilit çdo hap kishte një rëndësi të madhe politike. Sot, Bashkimi Evropian është më aktiv në rajon, të dyja vendet e kuptojnë se mund të bëjnë disa gjëra për të lehtësuar zgjidhjen e problemit në Kosovë. Ata duhet ta bëjnë këtë për hir të integrimit të tyre evropian dhe jo si pjesë e negociatave speciale”, ka thënë ai.

E ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde në një intervistë për KosovaPress ka thënë se përparimi i mëtejshëm në dialog është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë drejt Bashkimit Evropian.

Sipas tij, vetëm vendet që e njohin njëra-tjetrën mund t'i bashkohen BE-së.

“Në të kaluarën, dialogu solli rezultate thelbësore. Që nga viti 2011, më shumë se 30 marrëveshje janë arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe shumë prej tyre janë zbatuar gjithashtu. Përparimi i mëtejshëm në dialog është e vetmja rrugë përpara drejt rrugës së ardhshme të Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Kjo u bë e qartë edhe nga Këshilli Evropian në takimin e tij më 17 dhjetor 2024, nga presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, komisionarja e re e zgjerimit Marta Kos si dhe nga përfaqësuesja e re e lartë, Kaja Kallas”, ka thënë Rohde.

Njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku, thotë se për dallim nga Serbia, prioritet i Kosovës është anëtarësimi dhe integrimi në Bashkimin Evropian.

“Synimi thelbësor i pastër i Kosovës është që të ketë integrim në Bashkimin Evropian, gjë e cila nuk është në Serbi. Pra për Kosovën është prioritet anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe integrimi në të. Për Serbinë nuk është që ka qenë, gjithsesi ka qenë pjesë e bisedave, mirëpo jo që ka qenë pikë strategjike e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Tani se si do të gjendet metoda, konsideroj që kjo varet shumë nga faktorë të ndryshëm, por që interesi thelbësor është i SHBA-së që të marrë rolin krucial në orientimin e politikave të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Maloku.