Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës ka përfunduar në 19 komuna. Sipas KQZ-së, deri të dielën në mesnatë janë numëruar mbi 70 për qind e vendvotimeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri tash ka shkuar në 73 për qind.
Sipas KQZ-së, janë numëruar 1.855 vendvotime nga 2,533 vendvotime.
“Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat është duke vazhduar apo ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri në përfundim të ditës së diel, 16 shkurt, janë numëruar 73.23% e vendvotimeve apo 1.855 nga 2.533”, u tha nga KQZ-ja.
Numërimi i votave për kandidatët ka përfunduar tërësisht në 19 nga 38 komuna.
“Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 19 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Procesi i numërimit do të vazhdojë ditën e martë, në 19 Qendra Komunale të Numërimit”, tha KQZ.
Në Prishtinë ku ka më së shumti vendvotime, janë numëruar 116 nga 253 kuti të vendvotimit, apo rreth 45 për qind të tyre.
KQZ-ja ka njoftuar se të hënën për shkak të festës së Pavarësisë, procesi i numërimit nuk ka vazhduar, por që do të rifillojë të martën.