LAJMET E MBRËMJES

Numërimi përfundon në pesë komuna, nis në tetë prej 12 komunave që u paralajmëruan

Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë ka nisur të premten në tetë nga 12 komuna sa u paralajmëruan. Për vonesën e procesit edhe në katër komuna të tjera, në KQZ nuk dhanë sqarime. E numërimi të premten ka marrë fund në Han të Elezit, Shtërpcë, Partesh, Ranillug e Junik, teksa që nga e marta janë numëruar gjithsej 386 vendvotime

Me gjithë paralajmërimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë do të fillojë edhe në 12 komuna të mbetura, procesi të premten nisi në tetë syresh.

Numërimi është duke u zhvilluar në Istog, Rahovec, Pejë, Podujevë, Dragash, Klinë, Malishevë e Graçanicë teksa për vonesën e procesit në komunat e Zubin-Potokut, Zveçanit, Leposaviqit e Mamushës, në KQZ nuk i bënë të ditura arsyet.

E në një njoftim për medie, në KQZ thanë se procesi tashmë ka përfunduar në Han të Elezit, në Shtërpcë, Partesh, Ranillug e Junik, dhe se që nga e marta janë numëruar 386 vendvotime.

“Nga të dhënat që kemi pranuar nga qendrat komunale të numërimit në 26 komuna (4 prej të cilave filluan numërimin më 11 shkurt, 14 tjera pasditen e 12 shkurtit dhe 8 më 13 shkurt), deri më 13 shkurt janë numëruar 386 vendvotime”, thuhet në përgjigje të KQZ-së.

Gjatë këtij procesi, komisionerë të KQZ janë ballafaquar me probleme të vazhdueshme me sistemin e regjistrimit të rezultateve. Në Mitrovicë të Veriut u evidentuan telashe me rënie të rrjetit të internetit, që për pasojë shkaktoi vonesa në procesimin e rezultateve në sistem.

E për parregullsi në procesin zgjedhor të 9 shkurtit, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e drejtuar nga ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka bërë denoncim për cenimin e votës dhe vullnetit të qytetarëve.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, në këtë parti njoftuan se në procesverbalin fillestar nga një vendvotim në fshatin Bostane të Novobërdës nuk figuron asnjë votë e subjektit porse nga numërimi në qendrat komunale të numërimit del se partia e Rashiqit ka nëntë sosh. Këtë, ky subjekt e kualifikoi si shkelje të rëndë të procesit zgjedhor dhe paralajmëroi veprime ligjore kundër përgjegjësve.

Dy ditë pas zgjedhjeve, Rashiqi në një intervistë në KTV është ankuar se komisionerëve po u ofrohen para të majme për t’i keqpërdorur votat e partisë së tij.