LAJMET E MBRËMJES

Njësitë elitare paralajmërojnë dorëheqje nëse s’u përmbushen kërkesat

Është pezulluar protesta e përfaqësuesve të Njësive elitare, atyre Speciale Intervenuese dhe të Trajtimit të Mjeteve Eksplozive të Policisë, e paralajmëruar të mbahet të martën para objektit të Qeverisë. Nga Sindikata e Policisë kanë thënë se pezullimi u bë pas takimit të mbajtur me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, dhe zotimit për takim me kryeministrin, Albin Kurti, javën e ardhshme

Pjesëtarët e Njësisë Elitare të Policisë, të Njësisë Speciale Intervenuese e asaj për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive e pezulluan përkohësisht protestën e paralajmëruar për të martën rreth pakënaqësisë me shtesat e rrezikshmërisë.

Nga Sindikata e Policisë është bërë e ditur se vendimi për pezullim u mor, pasi në takimin me drejtorin e përgjithshëm dhe me menaxhmetin e Policisë, është dhënë premtimi për një takim me kryeministrin, Albin Kurti, javën e ardhshme.

Tek e konfirmoi takimin, kryeministri Kurti ka thënë se lidhur me kërkesat e tyre ai i ka shpalosur qëndrimet gjatë seancës së të premtes në Kuvend.

“Në vitin 2021 investimi ka qenë më pak së gjysmë milioni euro, sivjet është mbi 9 milionë euro. Ne po investojmë shumë në zvogëlimin e rrezikshmërisë për policinë tonë dhe pa dyshim që unë do t’i takoj, do t’i kontaktoj dhe do të shohim se çfarë me tutje. Por ta keni parasysh që në të njëjtën kohë unë tashmë e kamë dhënë qëndrimin dhe ka edhe shtesa jashtë orarit, ka edhe shtesa për rrezikshmërinë, do të ketë investime të vazhdueshme në policinë tonë. Po e përmbyll duke potencuar se rrezikshmëria zvogëlohet para së gjithash e mbi të gjitha, me mjete e pajisje pune gjithnjë e më moderne më parë se sa shtesa përkatëse”, ka thënë Kurti.

E kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri, mirëpriti takimin me kryeministrin dhe paralajmëroi dorëheqje të zyrtarëve të Policisë po qe se kërkesat nuk gjejnë zbatim.

“Në realitet, në rast se me të vërtetë nuk plotësohen kushtet, dorëheqjet do të vazhdojnë edhe janë duke vazhduar edhe ka paralajmërime se në rast se nuk përmirësohen kushtet, do të ketë dorëheqje”, ka thënë Zeqiri.

Ai bëri të ditur se Sindikata, prej tash e tre muaj, ka dërguar peticion në Kuvend, duke kërkuar përmirësimin e kushteve, përfshirë shtesën e rrezikshmërisë.

Pjesëtarë të Njësitit Special Intervenues, që është më elitari i Policisë, protestuan javën e shkuar para objektit të Qeverisë, duke kërkuar ndryshimin e kategorizimit të vendeve të punës dhe ngritjen e vlerës së shtesave të rrezikshmërisë.

Qeveria ka propozuar që shtesat e rrezikshmërisë për Njësitin Special Intervenues të jenë 150 euro, përderisa policët kërkojnë që shtesat të caktohen në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë.