Kosova nesër pritet që të pranojë zyrtarisht Raportin e Progresit për këtë vit. Në mes tjerash, në këtë raport është kërkuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet në bazë të propozimit evropian të draftstatutit. Por, as këtë kërkesë nuk e ka ndërmend të marrë parasysh kryeministri Albin Kurti. Për dallim nga një vit më parë, tash Kurti formimin e Asociacionit nga ndokush tjetër, pos komunave, e sheh imponim.
Për dallim nga një vit e gjysmë më parë, kur u vetofrua që të hartojë draftstatutin e Asociacionit, kryeministri Albin Kurti të martën ka prezantuar një qëndrim tjetër.
Veprimet nga ana e tij, në drejtim të formimit të Asociacionit, kryeministri Kurti tha se do të ishin imponim për komunat.
“Ju të gjithë e dini që tashmë e kemi një Asociacion të komunave të Kosovës nëse dikush e dëshiron edhe një asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vijë nga komunat. Nuk formon kryeministri asociacione të komunave, as nuk i themelon ato, komunat asociohen me njëra-tjetrën. Është në kuptimin e nocionit asociacion liria e asocimit, jo imponimi i asocimit”, tha Kurti.
Propozimi i tij për të hartuar draftstatutin e Asociacionit nuk u pranua nga Serbia e as nga ndërmjetësuesi i bisedimeve, Bashkimi Evropian në atë kohë, me arsyetimin se një gjë të tillë duhet ta bëjë ekipi menaxhues.
Përkundër kësaj, Bashkimi Evropian solli një draft të tij të statutit të Asociacionit, e formimi i këtij mekanizmi mbi atë dokument u kërkua edhe në draftraportin për Kosovën.
Por, kreu i Ekzekutivit ka kërkesa të tjera.
“Unë kërkoj ta nënshkruajmë marrëveshjen bazike. Pa e nënshkru marrëveshjen me aneks të zbatimit, pa e dorëzu Milan Radoiçiqin dhe pa e tërhequr atë letrën e znj. Bërnabiq, ku ata thonë që nuk e respektojnë integritetin territorial të Kosovës, s`di çfarë draftstatutesh mund të shkruajë ndokush, jo unë, por ndokush”, tha Kurti.
Kërkesë kishte edhe për gazetarët që bënë pyetje në lidhje me Asociacionin. Tha se bërja prioritet e kësaj çështjeje është pikëpamje e Beogradit, derisa për Prishtinën është marrëveshja bazike.
“Marrëveshja bazike është kryefjala e raporteve të Kosovës me Serbinë, mandej vijnë të tjera. Serbia është e interesuar që Marrëveshja bazike të harrohet, aneksi i zbatimit të harrohet, dialogu të shkatërrohet dhe të vendoset si qerrja para kuajve Asociacioni. Ata janë të interesuar, ju lutem mos e përvetësoni diskursin, narrativin e tyre që vjen prej interesit të tyre”, tha Kurti.
Kryeministri nuk tregoi nëse është në dijeni për kërkesat e reja të Bashkimit Evropian në drejtim të heqjes së masave ndëshkuese, derisa tha se Kosova nuk ka asnjë faj për atë që ka ndodhur një vit më parë në veri.
Kërkesa që të nisin procedurat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në bazë të propozimit evropian, është theksuar në Raportin e Progresit për Kosovën për këtë vit.
Ky raport pritet që të mërkurën t`iu dorëzohet zyrtarëve të lartë shtetërorë.