Seanca e së enjtes, njëjtë sikurse ajo e dy javëve më parë, ka dështuar për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve në votim. Asnjëra nga 5 pikat e trajtuara nuk ka marrë miratim. Nuk arritën të kalonin as tri marrëveshje ndërkombëtare dhe as Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor
As edhe një vendim i vetëm nuk është marrë të enjten në seancën njëorëshe të Kuvendit, e cila ka dështuar për shkak të refuzimit të deputetëve për të marrë pjesë në votim.
Seanca e së enjtes ka qenë vazhdim i asaj të para dy javëve, e cila gjithashtu pati dështuar për mungesë të kuorumit. Në këtë mbledhje kanë munguar 80 deputetë kur janë nxjerrë për miratim tri marrëveshje ndërkombëtare, teksa për votimin e pikave të tjera të rendit të ditës, edhe pse në sallë kanë qenë mjaftueshëm ligjvënës, disa prej tyre janë përmbajtur nga votimi.
Si pasojë ka dështuar për të satën herë radhazi miratimi në lexim të dytë i Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, pasi vetëm 38 deputetë kanë marrë pjesë në votimin e amendamentit të propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Visar Korenica.
Konsensus nuk është gjetur as për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, pasi që deputetët opozitarë kanë shprehur kritika të shumta mbi mënyrën e përzgjedhjes mes kandidatëve të propozuar: Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reçica, Enis Salla, Zanita Halimi, Arianit Buçinca dhe Slaxhana Boshkoviq.
Deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Vlora Dumoshi, ka shprehur kritikë se shumica e të propozuarve nuk janë historianë.
“Shumica e kandidatëve janë sociologë, etnologë, por jo edhe historianë, që ka qenë një nga kriteret e konkursit. Po ashtu, janë përzgjedhur militantët partiakë, siç është rasti i Fahri Sheqirit nga qendra e LVV-së në Bardhosh. Prandaj ne mendojmë që procesi duhet të kthehet në pikën zero. Po ashtu, si komision kemi pranuar tri ankesa nga kandidatët dhe asnjë ankesë nuk është shqyrtuar”, ka theksuar Dumoshi.
Kundërshtim për t’i votuar anëtarët e përzgjedhur kanë shprehur edhe deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Nuk mundet as profesori Gola e askush prej deputetëve ta ndalë procesin e ankimimit, kur u është bërë e padrejtë kandidatëve. Ne nuk do të marrim pjesë në këtë proces votimi”, ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
E përbërjen e ka arsyetuar deputeti i LVV-së, Ardian Gola.
“Kjo përbërje reflekton profesionalizmin e Komisionit, por asnjë nuk mund të garantojmë që zgjedhja ka qenë profesionale. Është e vërtetë që disa që nuk janë zgjedhur mund të jenë të mirë, por ky komision ka konsideruar që është mirë t’u jepet shansi disa të rinjve”, ka thënë ai.
Ani se nuk ishte në rend të ditës, deputeti i LVV-së, Korenica, e ka marrë fjalën për ta ngritur një çështje, për të cilën ka thënë se i takon ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që ta zgjidhë.
“Ka katër javë që një vajzë nuk po e vijon procesin mësimor në Pejë dhe është e moshës madhore. I ka 18 vjet, çdo të dytën ditë paraqitet në shkollë dhe përjashtohet nga drejtori, Musa Nikçi. Nuk e kuptoj që sa e drejtë është të qëndrojmë ne këtu si deputetë, ju si kryekuvendar, por edhe ministrja e Arsimit dhe të mos merret me rastin dhe t’i japë të drejtën vajzës të shkojë në shkollë. Ne e kemi këtë përgjegjësi kolektive këtu”, ka thënë ai.
Për këtë qëndrim të shprehur nga Korenica, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shprehur vërejtje. “Besoj që fushata fillon kah 16 janari dhe e keni gjithë kohën e mjaftueshme të ngrini të gjitha problemet”, është shprehur Konjufca.
Deklaratës së kryeparlamentarit, Korenica i është përgjigjur pas seancës, duke thënë se ai nuk ka bërë fushatë me bindjet e tij. Ka shtuar se do ta shmangë votimin deri në kthimin e vajzës në shkollë.
“Unë nuk do të marr pjesë në asnjë votim pa u kthyer vajza në shkollë! Sot, në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kërkova që të mos vazhdohet me seancë pa u kthyer në shkollë një vajzë mbi 18-vjeçare, e cila është larguar padrejtësisht që nga 1 shtatori. Udhëzimi Administrativ është i jashtëligjshëm, Qeveria është përgjegjëse për ndryshimin e tij”, ka shkruar Korenica në një postim në rrjete sociale.
Qëndrimin e tij e ka mbështetur deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, i cili ka paralajmëruar veprime të njëjta.
E në seancë, ndonëse janë nxjerrë në votim, pa miratim kanë mbetur edhe ndryshimet në Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kryekuvendari Konjufca ka thënë se janë tre deputetë të shumicës parlamentare të cilët kanë refuzuar që të marrin pjesë në votim, duke e pamundësuar arritjen e shumicës së thjeshtë të votave.
Për shkak të këtyre qëndrimeve të deputetëve, seanca është shtyrë për një ditë tjetër.