LAJMET E MBRËMJES

Një muaj paraburgim të dyshuarit për spiunazh

Është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për t’i shqiptuar masën e paraburgimit të akuzuarit për spiunazh, Aleksandër Vlajiq. Gjykata Themelore në Prishtinë arsyetoi vendimin, duke theksuar se në rast se do të mbrohej në liri, i pandehuri do të mund të arratisej në Serbi për shërbimin e inteligjencës së të cilit shtet dyshohet se ka shërbyer

Nuk do të mund të mbrohet në liri ish-polici Aleksandër Vlajiq, i cili u arrestua dy ditë më parë, nën dyshimin për spiunazh. 

Pas seancës që zgjati rreth tri orë, gjykatësi i procedurës paraprake aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe Vlajiqit ia caktoi masën një muaj paraburgim.

Gjykata Themelore në Prishtinë arsyetoi vendimin, duke theksuar se i pandehuri do të mund të arratisej në Serbi për shërbimin e inteligjencës së të cilit shtet dyshohet se ka shërbyer.

“Nëse i pandehuri A.V. lihet në liri, i njëjti mund të jetë i paarritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tij, pasi i njëjti është edhe shtetas i Serbisë dhe në këtë mënyrë, mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Avokati i të akuzuarit Vlajiq, Ljubomir Pantoviq nuk dha detaje për akuzën dhe as nuk dha vlerësime mbi bazën e paraburgimit, që e vendosi gjykata.

“Gjykata në Prishtinë, Departamenti special, ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji Aleksandër Vlajiq nga Mitrovica, me propozim të prokurorisë speciale të Kosovës. Kjo është krejt ajo që aktualisht mund t’ju them”, ka thënë ai.

Aleksandër Vlajiq, u arrestua të mërkurën mbrëma në regjionin e Mitrovicës, pas hetimeve disamujore të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Policisë.

Në fillim të muajit, Policia ka arrestuar edhe dy shqiptarë, nën dyshimet se spiunonin për llogari të agjencisë së inteligjencës së Serbisë. Njëri nga ta është ish-polic dhe tjetri ish-zyrtar i Doganës së Kosovës dhe që të dy ndodhen në paraburgim.