LAJMET E MBRËMJES

Një muaj paraburgim për 16-vjeçarin që planifikonte sulm terrorist në shkollë për Halloween

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur një muaj paraburgim për 16-vjeçarin e dyshuar për planifikim të veprave penale terroriste. I mituri dyshohet se ka planifikuar sulm ndaj disa nxënësve të një shkolle të mesme në Pejë. Sipas burimeve të KOHËS, të dyshuarit i është sekuestruar një fletore me emra të nxënësve dhe klasat e tyre, me mbishkrimin “Project targets”. Ndërsa avokati i tij ka shprehur kundërshtimin për masën e caktuar.

Një muaj paraburgim i është caktuar 16-vjeçarit nga Peja, i cili po dyshohet për planifikim të veprave penale terroriste.

Gjykata Themelore në Prishtinë thotë se B.M. dyshohet se kishte përgatitur një sulm ndaj disa nxënësve të një shkolle të mesme në Pejë.

Paraprakisht, në mbrëmjen e së shtunës Prokuroria e Pejës ka kryer bastisjen në shtëpinë e të miturit, ku edhe e arrestoi atë.

Por, për shkak të natyrës së rastit lënda është dërguar në Prokurorinë Speciale.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton opinionin publik se është ndaluar i pandehuri me inicialet B.M. për shkak se në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Burime të KOHËS kanë thënë se gjithçka ka filluar me një video-mesazh në rrjetin social TikTok e po ashtu sulmi ishte planifikuar që të ndodhte gjatë festës së Halloweeni

Sipas burimeve, i dyshuarit kishte kontakte me disa persona jashtë shteti përfshire edhe një në serbi që kishte kryer në maj një sulm në një shkollë në Beograd ku patën mbetur të vrarë 8 nxënës.

Burimet e KOHËS thonë se për planifikimin e këtij sulmi nuk është i dyshuar vetëm 16-vjeçari pro ka edhe persona të tjerë.

Avokati i të dyshuarit, Gëzim Kollçaku, u shpreh se ka kundërshtuar masën e paraburgimit, pasi, sipas tij, nuk ka prova materiale që do ta përbënte veprën penale për të cilën po akuzohet klienti i tij.

“Kundërshtova fuqishëm kërkesën e Prokurorisë Speciale për shkak se nuk ka pasë asnjë provë më të voglën, e cila e vërteton dyshimin e bazuar. Asnjë provë, edhe një herë po e them, asnjë provë më të voglën materiale Prokuroria nuk ka pasë për dyshim të bazuar. Për shkak se asnjë gjë në shtëpi, as askund nuk ju ka gjetë, asnjë mjet, asnjë provë me e vogla që kishte me pasë dyshimin e bazuar se do të kryente një vepër penale në të ardhmen”, ka thënë Gëzim Kollçaku – avokat i të dyshuarit.

Kollçaku theksoi se për masën e caktuar do të bëjë ankesë të hënën, që vendimi për 30 ditë paraburgim të refuzohet.

I pandehuri po dyshohet për veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës’’.