Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka paralajmëruar veprime të tjera të organeve të rendit që të zbardhet e vërteta mbi sulmin e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut. E Gjykatën Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim njërit nga 8 të arrestuarit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani, ka njoftuar se gjatë këtyre kontrolleve janë kryer bastisje dhe janë konfiskuar tri pushkë gjuetie, por nuk ka pasur të arrestuar.
E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka paralajmëruar se organet e rendit do të vazhdojnë me përpjekjet që përgjegjësit për sulmin terrorist në Varagë të dalin para drejtësisë.
“Realisht ky është sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike. Nëse dikush mendon që ne do ta lëmë me kaq e ka shumë gabim. Institucionet e sigurisë, hetimet do të zbulojnë gjithçka, krejt çka ka ndodhur, kush e ka shkaktuar këtë dhe patjetër që përgjegjësit do të sillen para drejtësisë, e urdhërdhënësit e tyre duhet të marrin barrën politike”, ka thënë ai.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u soll vetëm njëri nga 8 të arrestuarit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
I dyshuari Dragisha Vicentijeviq, u përfaqësua nga avokati, Millosh Deleviq, i cili tha se klientit të tij i janë caktuar 30 ditë paraburgim. Por mohoi përfshirjen e tij në sulmin e së premtes në Zubin Potok.
“ Dragisha Viçentijeviq i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ai është i dyshuar se ka kryer vepra të rënda kriminale, saktësisht se ka dëmtuar kanalin e Ibër Lepencit. Megjithatë pse iu kanë gjetur çizmet e lagështa e më baltë, nuk mund jenë prova të mjaftueshme se ka kryer vepër të rëndë kriminale. Ai ka qenë në një vend krejt tjetër në atë kohë. Ai vend ka qenë me plot dëshmitarë dhe unë besoj se gjatë hetimit do të dëshmojmë pafajësinë e tij”, u shpreh avokati i tij, Deleviq.
E avokati Dejan Vasiq, i cili përfaqëson të arrestuarin, Dushan Millanoviq, ka thënë se ndaj klientit të tij, Prokuroria Speciale nuk ka paraqitur kërkesë për masën e paraburgimit dhe pret që ai të lirohet brenda afatit 48 orësh, që i bie të hënën në mëngjes.
Ndërsa ushtarë të KFOR-it amerikanë kanë kryer patrullime në zonën e Zubin-Potokut të dielën, derisa u tha se janë të gatshëm dhe të vendosur të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në një njoftim në Facebook, KFOR-i ka thënë se patrullimet dhe vëzhgimet janë pjesë e misionit të përditshëm “për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt”.