LAJMET E MBRËMJES

Një mijë e 200 padi për tre muaj ndaj Ministrisë së Financave

Numri i qytetarëve që i janë drejtuar Gjykatës Themelore për t’ua njohur të drejtën për pension të dyfishta, është rritur gjatë muajve të fundit. Afro 1 mijë e 200 padi ndaj Ministrisë së Financave janë ushtruar vetëm në tre muajt e parë të vitit

Gjykata Themelore në Prishtinë është përballur këtë vit me fluks të padive që janë deponuar nga qytetarët, me të cilat kanë kërkuar përfitim në pensione të dyfishta, pas refuzimit në kërkesa që kanë marrë nga Ministria e Financave.

Ndonëse Ligji për skema pensionale nuk e parasheh përfitimin e dy pensioneve njëkohësisht, një praktikë e tillë është vendosur nga Gjykata Supreme në vitin 2021.

Në diskutimin e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi lidhur me këtë çështje, përfaqësues të institucioneve ofruan të dhënat për paditë. Gjyqtari në Departamentin për çështje administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Rexhep Gashi ka thënë se nga muaji janar janë duke u ballafaquar me një numër të madh të lëndëve të kësaj natyre.
“Nga shkrimorja e gjykatës, departamenti administrativ e kam marr një statistikë për muajt mars-maj të këtij viti, tre mujor, ku ka rezultuar që vetëm në lëndë të kësaj natyre që kanë të bëjnë me pensione në Gjykatë kanë ardhur diku 1194 padi apo përafërsisht rreth 1 mijë e 200 padi. E duke marrë parasysh faktin se jemi vetëm 7 gjyqtarë kjo paraqet ngarkesë për Gjykatën”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se në të kaluarën nuk janë përballur me një fluks të tillë, pasi qytetarët nuk kanë qenë mjaftueshëm të njoftuar se përmes padive mund të realizojnë dy pensione.

“Deri te kjo siç shihet ka ardhur pasi që në të kaluarën qytetarët të cilët kanë aplikuar për pensione, qoftë për pensionin e moshës kontribut pagues apo pensionet nga skemat e luftës, Ministria qytetarët i ka vendosur para zgjedhjes se a dëshirojnë të marrin pensionin e moshës ose kontributpagues, apo njërën nga skemat e luftës. Qytetarët ndoshta në të shumtën e rasteve janë përcaktuar më tepër te pensioni i luftës për shkak të lartësisë që në disa raste është më i lartë, por në anën tjetër kanë hequr dorë nga e drejta për pension bazik të moshës apo kontribut pagues të moshës, përkundër asaj që të njëjtit kanë dhënë kontribut gjatë jetës së tyre”, ka thënë Gashi.

E zëvendësdrejtoresha ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Flutura Berbati-Zena ka thënë se në tre vjetët e fundit kanë vërejtur rritje të numrit të rasteve deri në 200 për qind.

“Kemi bërë një krahasim lidhur me lëndët që janë trajtuar në vitin 2022, e që gjatë atij viti për çështje pensionale kemi trajtuar 240 raste, prej tyre kanë qenë këshilla juridike 58, padi 63.  Gjatë vitit 2023 janë trajtuar 503 raste që kanë të bëjnë me çështje të pensioneve dhe 77 kanë qenë këshilla juridike, 120 padi, 185 ankesa. Ndërsa sa i përket vitit 2024, vetëm në këtë pesë mujor, janar – maj në Agjenci janë proceduar 2775 padi në drejtim të departamentit për çështje administrative në Gjykatën Themelore. Ne kemi ardhur ne përfundim se në krahasim me vitet paraprake është një rritje enorme mbi 50 për qind për secilin vit”, ka thënë Berbati-Zena.

Ligji për skema pensionale të financuara nga shteti nuk lejon që një qytetar të përfitoj nga pensioni bazik i moshës dhe në një nga pensionet e veçanta si ato të invalidëve të luftës, viktimave të dhunës seksuale e të tjera. 

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se në Institucionin e Avokatit të Popullit që nga viti 2018 kanë kërkuar ndryshimi i Ligjit për skema pensionale, i cili nuk njeh të drejtën e përfitimit të dy pensioneve njëkohësisht. 

“Ka kërkuar ndryshimet ligjore, ligjet që është dashtë të ndryshohen e që prekin një kategori të gjerë të qytetarëve është ligji n për skemat pensionale të financuara nga shtetit, është kërkuar fshirja e paragrafit 3 të nenit 8 dhe 16 të këtij ligji se përcakton se e ndalon gëzimin e pensionit kontribut pagues dhe pensioneve të tjera të njohura me ligj si e drejtë e fituar duke e vendosur qytetarin para një pozite te vështire për me zgjedh se cilin pension deklaron se e pranon”, ka thënë Qelaj.

Bajram Qerkini që drejton Qendrën Burimore për Personat e Zhdukur, ka dëshmuar për rastin kur thotë që institucionet e vunë në pozitë të rëndë.

“Na kanë thanë se nuk ke të drejtë Bajram Qerkini, 38 vjet ke punuar në Trepçë. A po e do kontributdhënësin apo kompensimin e djalit të cilin s’e ke. Ajo m’u ka duk shumë e rëndë edhe sot po më duket e rëndë. Do ta flas edhe një fjalë të një nëne që i ka dy fëmijët e pagjetur e Drenasit, kur thotë në një takim ‘O s’po du as bukë, as ujë, as kurrgjë, gjemini dy djemtë’. Ne kemi shumë dhimbje të mëdha”, ka thënë Qerkini.

Në tryezën e organizuar në kuadër të javës për ndihmë juridike falas ishin të ftuar edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, por nuk morën pjesë.

Gjykata Themelore në Prishtinë pak ditë më parë ka marrë vendim që të mbijetuarve të dhunës seksuale përveç pensionit si të mbijetuara t’u njihet edhe ai bazik i moshës.