LAJMET E MBRËMJES

Një i arrestuar e gjashtë në arrati për 1 ton marijuhanë të sekuestruar në Pejë

Aksioni i nisur qysh në orët e para të mëngjesit të së premtes në dy parcela, me sipërfaqe prej mbi 1 hektari dhe në të cilat është kultivuar drogë e llojit marijuhanë, ka përfunduar rreth mbrëmjes me arrestimin e një shtetasi nga Shqipëria. Prokurori i rastit, Ersan Qavolli, ka bërë të ditur se lidhur me rastin, në kërkim janë edhe gjashtë persona të tjerë. Gjithë sasia e sekuestruar e drogës ka pasur për destinim tregun ndërkombëtar

Mbi një ton drogë është sekuestruar në fshatin Sferkë të Pejës, në kuadër të aksionit më të madh anti-drogë të ndërmarrë të premten nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Pejë. 

Aksioni i nisur qysh në orët e para të mëngjesit në dy parcela, me sipërfaqe të përbashkët prej mbi 1 hektari dhe në të cilat është kultivuar drogë e llojit marijuhanë, ka përfunduar rreth mbrëmjes me arrestimin e një shtetasi nga Shqipëria, i cili ka qenë në cilësinë e punëtorit apo të organizatorit.

Prokurori i rastit, Ersan Qavolli, ka bërë të ditur se lidhur me rastin, në kërkim janë edhe gjashtë persona të tjerë.

“Kemi arritur që të shkatërrojmë dy plantacione të mëdha, prej të cilave janë shkatërruar 1 mijë e 800 bimë narkotike të llojit marijuhanë, gjithashtu janë sekuestruar rreth 500 kilogramë marijuhanë që kanë qenë duke u tharë. Nëse këto i kthejmë në kilogramë, vlera e tyre është më tepër se 1 ton, ndërsa nëse i kthejmë në para, vlera e tyre është rreth 5 milionë euro”, ka thënë Qavolli.

Ai ka shtuar se dukuria e kultivimit të drogës në Kosovë ka ndërruar formë, duke u bërë më e shpeshtë dhe më e rrezikshme.

“Këto lokacione janë lokacione të përmasave të mëdha të kultivimit të bimës së kanabisit, si produkt përfundimtar është produkti marijuhanë. Sasitë dhe vlerat monetare qëndrojnë, por jemi ende në fazën e përpunimit të vendit të ngjarjes dhe vlerësimet tona mund të dalin për sasi edhe vlera hala më të mëdha. Kultivimi që po e shohim ka ndërruar formë dhe ka nisur të bëhet dukuri e shpeshtë dhe e rrezikshme”, ka thënë Qavolli.

E hetuesi i rastit, Astrit Asiqi, ka thënë se aksioni i së premtes është rezultat i një hetimi mbi dymujor. Ai ka shtuar se e gjithë sasia e drogës së sekuestruar ka pasur për destinim tregun ndërkombëtar. 

“Besojmë se në bazë të hetimeve që i kemi bërë, destinimi i këtyre dy parcelave, i produktit final ka qenë tregu ndërkombëtar. Vlera është e llogaritur për tregun ndërkombëtar”, ka thënë Asiqi.

Prokuroria Themelore në Pejë e ka kualifikuar këtë aksion si një prej më të mëdhenjve anti-drogë të ndërmarrë në Kosovë që nga paslufta.