LAJMET E MBRËMJES

Një i arrestuar dhe një tjetër në arrati nën dyshimin për grabitje në një bankë në kryeqytet

Një grabitje nën kërcënim të armës ndodhi në degën e një banke komerciale në Prishtinë. Policia arriti ta prangoste njërin nga dy të dyshuarit, pak metra nga vendi i ngjarjes, porse tjetri ndodhet ende në arrati. Në polici nuk treguan se cila është shuma që është marrë gjatë grabitjes

Nën kërcënim të armës, dy persona grabitën para në një filial të një banke komerciale në Prishtinë.

Njëri nga të dyshuarit u kap nga Policia, afër objektit të KEK-ut, pak metra nga vendi i ngjarjes, teksa tjetri arriti të arratiset.

Në xhirimet e kamerave të sigurisë shpërfaqen pamjet e dy të dyshuarve të maskuar, tek ikin nga banka, që ndodhet në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Pas kapjes, teksa i dyshuari po dërgohej në stacion policor, një grua e ndaloi ekipin e Policisë dhe i dha ujë të arrestuarit.

E një dëshmitare e grabitjes, që nuk pranoi të identifikohej, i tha KOHËS se dy të dyshuarit hynë në bankë dhe nën kërcënimin e armës u kërkuan punonjësve që t’i nxjerrin paratë nga arka. Pasi i morën paratë, ajo tha se ata ikën nga vendi i ngjarjes.

Në Polici e konfirmuan grabitjen, ndërsa thanë se janë në kërkim të të dyshuarit të dytë.

“Sot nga zyrtarët policorë është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se është i përfshirë në një rast të grabitjes, që ka ndodhur sot rreth orës 13:00, në filialin e një banke në sheshin Nëna Terezë në Prishtinë. Personi i dyshuar, N.D, mashkull, është arrestuar menjëherë pas raportimit të rastit, pak metra larg nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në Polici nuk treguan se cila është shuma e parave të marra. KOHA tentoi të kontaktonte me përfaqësuesit e Bankës BKT, si dhe me ata të Shoqatës së Bankave të Kosovës për të marrë një qëndrim lidhur me rastin, porse nga asnjëra instancë nuk mori përgjigje.

Ky nuk është rasti i parë që bankat vihen në cak të grabitësve. Më 4 maj, tentimi për grabitjen e një filiali të bankës në Prizren pati përfunduar me përplasje mes të punonjësit të sigurimit dhe të dyshuarit, i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes pa e jetësuar synimin.