LAJMET E MBRËMJES

Një grup qytetarësh serbë kanë iniciuar shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore

Një grup qytetarësh të komunitetit serb kanë ndërmarrë nismën për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri. Ato i kanë deponuar në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan, ndërkaq në Zubin-Potok dhe Leposaviq thanë se nuk kanë shkuar të tillat. Autoritetet lokale theksuan se nisma synon ngritjen e tensioneve, para zgjedhjeve në Serbi.

Në dy prej katër komunave të veriut të banuara kryesisht me serbë janë deponuar kërkesa për inicimin e procesit të shkarkimit të kryetarëve, nëpërmjet peticionit.

Në kërkesën që një grup qytetarësh ia ka adresuar ekzekutivit të Mitrovicës së Veriut theksohet se shkarkimi duhet të ndodhë, meqë, sipas tyre, komuna nuk po ofron shërbime efikase e kryetari po merr vendime të njëanshme.

Por, bazuar në udhëzimin administrativ të nxjerrë nga Qeveria, kërkesa duhet dërguar kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Kryesuesi Nexhat Uglanjin tha se shkresën e ka parë, por nuk e ka pranuar. Sipas tij, nisma synon ngritjen e tensioneve, para zgjedhjeve në Serbi.

“Ky është një sinjal jo i mirë për shumicën serbe, sepse ju veç e dini se po afrohen zgjedhjet në Serbi, po donë edhe pak tensionet me i çu përmes këtyre kërkesave, por kuvendi nuk merret me këto çështje”, tha Uglanjin.

Kërkesë të ngjashme grupi i serbëve ka bërë edhe në Komunën e Zveçanit.

Kryetari Ilir Peci i tha KOHËS se, në mungesë të kryesuesit të kuvendit komunal, atë e ka pranuar vetë.

E, në dy komunat e tjera treguan se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë të tillë.

Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, nuk e vlerësoi serioze nismën.

“Nuk e shoh ndonjë vullnet qytetar. E kam fjalën për shumicën serbe, që kanë ndonjë vullnet për të dalë në zgjedhje të rregullta demokratike. Mirëpo, janë disa. E kuptoj më tepër si një lëvizje për të riaktualizuar diçka se po ndodh”, tha Zeqiri.

Sipas Udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të Komunës nga funksioni, grupi i qytetarëve serbë ka adresuar edhe në KQZ njoftim për iniciativën për shkarkimin e kryetarëve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se tri prej katër e-mailave të pranuar kanë të bashkëngjitur formularin e plotësuar për inicimin e kërkesës për largimin nga funksioni të kryetarit të komunës.

“Mund t’ju konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-maila zyrtare, kemi pranuar katër e-maila, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë mund t’ju them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’ju informojmë për këtë”, tha Elezi.

Por, për nismën nuk është informuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, tregoi ministri Elbert Kraniqi, i cili në Facebook shpjegoi hapat deri te shkarkimi i kryetarëve.

“Jemi në dijeni rreth raportimeve në media se janë mbledhur nënshkrime nga ‘një grup nismëtar’. Megjithatë, ju njoftojmë se në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë nismë nga kryesuesit e kuvendeve komunale të komunave respektive apo anëtarët e grupit iniciues siç parashihet me këtë udhëzim administrativ”, tha Krasniqi.

Sipas Udhëzimit administrativ, pas formalizimit të grupit nismëtar për shkarkimin e kryetarit të komunës, ai ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet e së paku 20 për qind të trupës elektorale që mbështesin nismën. Pas verifikimit në KQZ, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit.

Udhëzimi administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave nëpërmjet peticionit u miratua pasi nëpërmjet protestave, serbë të veriut kundërshtuan zgjedhjen e autoriteteve lokale që morën mandatin në procesin elektoral, i cili u bojkotua nga Lista Serbe.