LAJMET E MBRËMJES

Niko Bllazhde e Lejdi Zagalli deklarohen të pafajshëm në akuzat për nxitje të përçarjes

Niko Bllazhde, i njohur në publik si atë Nikolla Xhufka ka dalë para gjykatës këtë të hënë, ku është deklaruar i pafajshëm në akuzat për nxitje të përçarjes. Prokuroria Speciale po e akuzon atë dhe Lejdi Zagallin, për nxitje të përçarjes kur e kanë hapur dhunshëm kishën në fshatin Rakinicë dhe e kanë shpallur si shqiptare një kishë që sipas Prokurorisë, është në pronësi dhe kontroll të Kishës ortodokse serbe.

Dy shtetasit nga Shqipëria, Niko Bllazhde, i njohur në rrjete sociale, si At Nikolla Xhufka si dhe ish-bashkëpunëtori i tij, Lejdi Zagalli, janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjen e tyre të parë para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale po i akuzon ata për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit në bashkëkryerje.

Sipas Prokurorisë, ata kanë nxitur përçarje duke hyrë dhunshëm në kishën në fshatin Rakinicë të Podujevës, në pronësi e mbikëqyrje të Kishës Ortodokse Serbe, dhe më pas duke e shpallur atë kishë shqiptare më 27 nëntor 2023.  

“Pa autorizim kanë hyrë në Kishën Shën Arangjel Mihajllo, në fshatin Rakinicë – Komuna e Podujevës e cila është nën pronësi dhe mbikëqyrje të Kishës Ortodokse Serbe në atë mënyrë që të pandehurit kanë hapur dhunshëm portën  e kishës së lartpërmendur në mënyrë që të njëjtën ta shpallin kishë me emrin “Fan Noli” e cila sipas të pandehurve, do t’i përkiste kishës ortodokse kombëtare shqiptare nga Elbasani”, tha prokurori special Bekim Kodraliu.

Lidhur me Bllazhden prokurori special, Bekim Kodraliu, tek lexoi aktakuzën tha se ka nxitur urrejtje mes grupeve kombëtare e fetare që jetojnë në Kosovë me postimet e tij në rrjete sociale.

“Më datë 30.11.2023 përmes një videoincizimi në rrjetin social Facebook publikisht ka bërë nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve fetare, kombëtare dhe etnike, ashtu që ndër të tjera publikisht bën thirrje duke iu drejtuar Kishës Ortodokse Serbe, si në vijim, “Kisha Ortodokse kombëtare shqiptare i bën thirrje Kishës serbe dhe Dioqezës së Rashkës dhe patriarkut Porfirije, Porfirije mos guxo t’i afrohesh Ortodoksisë shqiptare dhe Kishës Ortodokse ‘Fan Noli’ në Rakinicë të Podujevës, sepse zjarri i ferrit të pret, jeni një kishë dhunuese dhe një kishë antiligjore, jeni një kishë e mallkuar nga kisha ortodokse e vërtetë Kombëtare Shqiptare”, tha Kodraliu.

Dy të akuzuarit nuk i pranuan akuzat.

E madje Bllazhde, i njohur si atë Nikolla Xhufka lëvizte kokën vazhdimisht lartë dhe poshtë sa e lexonte prokurori aktakuzën.

“Absolutisht të pafajshëm”, tha Bllazhde.

“E kam kuptuar, por nuk e pranoj”, tha Zagalli.

Kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, i udhëzoi të akuzuarit lidhur me të drejtën për të paraqitur kundërshtimet e tyre lidhur me provat dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës.

Kisha me të cilën të akuzuarit kanë publikuar fotografi quhet “Kisha e vjetër e braktisur e Shën Arkangjel Mëhillit” në bazë të listës së Ministrisë së Kulturës, që përmban monumentet e mbrojtura të trashëgimisë kulturore.