Çështje ditësh është heqja e barrikadave, ka përsëritur të martën kryeministri Albin Kurti. Në intervistën për një televizion të Bosnjës, ai tha të mos e dijë arsye përse deri më tani nuk ka intervenuar KFOR-i, por shtoi se këtë mision nuk do ta presë edhe për shumë gjatë. Ndërkohë, numri i barrikadave të vendosura në veri ka arritur në 13, me vendosjen e dy të rejave në orët e para të së martës në qytetin e Mitrovicës së Veriut
Dita e 18-të e barrikadimit të rrugëve drejt kufirit me Serbinë ka zbardhur me edhe dy barrikada të reja. Për dallim nga të tjerat, njëra nga barrikadat në orët e para të së martës është vendosur në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.
Kamionët me zhavorr të vendosur në mes të rrugës që lidh jugun me veriun kanë pamundësuar qarkullimin me vetura, derisa lëvizja në këmbë ishte e vështirë.
Në Lagjen e Boshnjakëve të banuar kryesisht me shqiptarë, të martën hezituan të flasin për situatën e krijuar.
Barrikadë e re është vendosur edhe në urën te vendi i quajtur Kërshi i Dudës.
Dy kamionë të mbushur me zhavorr bllokuan qarkullimin në urën që lidh Mitrovicën me rrugën kryesore drejt Zveçanit.
Vendosja e barrikadave, sipas Policisë, është bërë nga grupet kriminale.
Institucionet e Kosovës janë në pritje të KFOR-it për heqjen e barrikadave në veri të vendit. Në një intervistë për televizionin boshnjak “O Kanal”, kryeministri Albin Kurti tha se largimi i tyre është çështje ditësh.
“Nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i heqë barrikadat ose, për arsye të panjohura për mua, nuk do ta bëjë këtë, atëherë ne do të duhet ta bëjmë atë. Sepse barrikadat bllokojnë kryesisht serbët në veri. Ato janë shkelje dhe shtypje e rendit tonë kushtetues dhe ligjit dhe rendit tonë. Por, në radhë të parë janë kundër lirisë së lëvizjes”, tha Kurti.
E presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka vënë në gjendje gatishmërie luftarake ushtrinë dhe policinë. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërbaniq, komentoi urdhrin e Vuçiqit, për ngritjen e gatishmërisë luftarake
“Ngritja e gatishmërisë së plotë luftarake do të thotë se ne jemi të gatshëm të reagojmë nëse dikush sulmon serbët në Kosovë”, vlerësoi Bërnabiq.
Raportimet e mediave serbe se edhe Kosova është vënë në gjendje gatishmërie janë demantuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Nëpërmjet një reagimi, ai ka thënë se Kosova nuk është e interesuar për luftë.
“Nuk jemi të interesuar për luftë, por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite i ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit. Policia e Kosovës është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor. Ka detyra të përditshme e jo gatishmëri për luftë. Kjo vlen edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve. Institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm”, ka shkruar Sveçla.
Për situatën në veri, të martën është protestuar në Shqipëri. Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë ngritur zërin para Ambasadës së Serbisë në Tiranë, derisa kërkuan nga Tirana zyrtare kushtëzimin e marrëdhënieve me Serbinë.