LAJMET E MBRËMJES

Nga 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarit për vrasjen e Liridonës

Bashkëshorti i të Liridona Ademajt, Naim Murseli dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Plava për “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa Kushtrim Kokalla për “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë. Liridona Ademaj u vra në fshatin Sinidoll, në afërsi të Prishtinës, më 29 nëntor. Fillimisht u raportua se ishte vrasje gjatë grabitjes

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kreshnik Kokalla kanë dalë të dielën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku edhe u është caktuar masa e paraburgimit për një muaj secilit, duke u aprovuar kështu si e bazuar kërkesa e Prokurorisë.

Naim Murseli dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Plava për “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa Kushtrim Kokalla për “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë

Liridona Ademaj u vra në fshatin Sinidoll, në afërsi të Prishtinës, më 29 nëntor. Fillimisht u raportua se ishte vrasje gjatë grabitjes.

“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Sipas vendimit të Gjykatës, Murseli e ka pajisur me armë Granit Plavën dhe e ka inskenuar ngjarjen.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M. me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P. për ta vrarë tani të ndjerën L.M., ku paraprakisht i pandehuri N.M. e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P. dhe kishin inskenuar veprën penale të grabitjes”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Avokatët Ahmet Ahmeti, Skënder Gojani dhe Ahmet Gjinovci nuk kanë dhënë prononcime për media.

E vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi, ka thënë që fëmijët nuk e dinë që nënën nuk e kanë më.

“Fëmijët janë mirë, ata nuk kanë telefon që të komunikojmë me ta, për shkak se janë të vegjël. Për ta po përkujdesen gjyshi dhe gjyshja. Për fëmijët, na kanë pyetur se çka po mendoni a doni t’i merrni, te ne është gjendja katastrofale, janë shumë të mërzitur. Fëmijët nuk e kanë kuptuar ende, që nëna i ka vdekur dhe nëse vijnë te na e kanë shumë më të lehtë ta kuptojnë se çfarë po ndodhë”, ka thënë Ademaj.

Ai ka folur edhe për komunikimin e fundit që kanë pasur me familjarët e Murselit. Ka shtuar se ka ndodhur një keqkuptim, pasi është raportuar për dhënie të dy ditëve besë, ndërsa sipas tij, e vërteta është se familjet janë marrë vesh për dy ditë pritje të ngushëllimeve.

Ai ka thënë se fëmjët po qëndrojnë të familja e babait të tyre.

“Ditën kur e kanë arrestuar Naimin na kanë thirrur në telefon dhe na kanë njoftuar se dy ditë është e pamja, këtu ka ndodhur një keqkuptim pasi është thënë se dy ditë u kanë dhënë afat apo besë, ajo nuk është e vërtetë. Babai ka thënë mbajeni të pamën dy ditë siç e keni pasur. Asgjë tjetër nuk ka pasur këtu. Ne gjithçka ua lëmë drejtësisë. I besojmë drejtësisë së Kosovës”, ka theksuar Ademaj.

Ndërkohë kërkesa e familjes për rivarrimin e së ndjerës në fshatin Rracaj është aprovuar nga Prokuroria, të dielën.

Gjatë ditës përmes rrjeteve sociale familja ka njoftuar të afërmit që rivarrimi do të bëhet të hënën, mirëpo në kërkesë bëhet thirrje që gjatë kësaj ceremonie familjes t’i ofrohet privatësi.

“Kërkojmë nga ju që të na mundësoni që trupin e vajzës tonë Liridona Ademaj ta zhvarrosim dhe ta rivarrosim në fshatin Rracaj... Po ashtu, kërkojmë nga ju që gjatë procedurës së zhvarrosjes dhe rivarrosjes, përmes policisë të na siguroni privatësi të plotë”, thuhet në kërkesën tashmë të aprovuar.

Rasti i vrasjes së Liridona Ademaj Murseli fillimisht u raportua si grabitje, ku mbeti e vrarë një grua, e pas hetimeve të kryera dyshimet janë që vrasja e saj është porositur nga bashkëshorti i saj, i cili i ka premtuar 30 mijë euro dorasit Granit Plava.

Në momentin kritik, në veturën ku ndodhej e ndjera ishte edhe burri i saj, Naim Muresli, i dyshuar, dhe dy fëmijët e tyre.