Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se është nënshkruar kontrata me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi" për të vënë në funksion fabrikën e municioneve në Kosovë. Sipas Kurtit, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100 për qind vendore
Një hap tutje ka shkuar zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për prodhimin e municioneve në Kosovë.
Të hënën është nënshkruar kontrata ndërmjet Republikës së Kosovës dhe prodhuesit shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi".
Përveç prodhimit të dy llojeve të municioneve, në fabrikë do të bëhet edhe dizajnimi i dronëve luftarakë.
“MKE merr përsipër ta vërë në funksion fabrikën e municioneve, e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s. Në këtë kontratë përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka shtuar se fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore.
Vendimi për këtë fabrikë u mor më 27 nëntor nga Qeveria, në Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Atë ditë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se vendimi për prodhimin e municionit në Kosovë është marrë në koordinim me aleatët, përfshirë edhe SHBA-në.
Turqia është një prej furnizuesve kryesorë të FSK-së me armë e pajisje të tjera ushtarake. Nga ky vend Kosova ka blerë edhe dronët “Bayraktar”.