LAJMET E MBRËMJES

Nënshkruhen tri marrëveshje, Kurti e Mickoski zotohen për rritje të bashkëpunimit

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e dytë të përbashkët kanë nënshkruar një protokoll për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e qytetarëve në dy pika kufitare, memorandumin e mirëkuptimit për energjinë dhe një memorandum tjetër për arsimin. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi faktin se Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nuk kanë asnjë mosmarrëveshje, e homologu i tij Hristijan Mickoski foli edhe për ndalimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Tri marrëveshje të reja janë nënshkruar mes qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e dytë të përbashkët, e cila u mbajt të hënën në periferi të Prishtinës. 

Udhëheqësit e dy kabineteve qeveritare, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski thanë se marrëveshjet e reja janë dëshmi e marrëdhënieve të mira, tek e përsëritën se është koha të flitet për të ardhmen e jo të kaluarën. 

Në hapjen e mbledhjes së përbashkët, kryeministri Kurti e cilësoi me rëndësi të theksohet se Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje. 

“Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinj, miq dhe partnerë, të lidhur jo vetëm përmes tregtisë, që është çdoherë në rritje, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë. Takimi i sotëm ka edhe një rëndësi simbolike, pasi që përkon me 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Gjatë këtyre viteve, kemi nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume, të cilat na kanë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin, por ajo ku duhet të theksojmë më shumë, është zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë”, ka thënë Kurti. 

Sipas tij, marrëdhëniet e mira mes dy vendeve reflektohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë, e siç tha ai, ajo ka arritur në mbi 432 milionë euro në vitin 2023, një rritje prej 52% krahasuar me vitin 2019, kur sipas Kurtit ishte 284 milionë euro. 

“Rritja e tregtisë e shkëmbimeve mes dy vendeve tona, reflektohet gjithashtu edhe në rritjen e lëvizshmërisë së qytetarëve tanë. Mes datave 1 janar edhe 1 nëntor të këtij viti, janë regjistruar pothuajse 5 milionë kalime kufitare në të dy kahet - një rritje e konsiderueshme nga 3.5 milionë sa qëndronte në vitin 2019”, ka thënë ai.  

Kurti ka shtuar se pret përfundimin e ndërtimit të autostradës nga Bllaca për në Shkup, 10 kilometrat e mbetur, që do të lidhte rrjetin e autostradave në Maqedoninë e Veriut me autostradën “Arbën Xhaferi” në Kosovë. Po ashtu, ka thënë se pret që së bashku të angazhohen për jetësimin e tunelit që e lidh Prizrenin me Tetovën. 

Kurti foli edhe për sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohen të dyja vendet. 

“Si fqinj që ndajmë një kufi, sigurinë e kemi të ndërlidhur. Andaj, sot, më shumë se kurrë, bashkëpunimi në çështjet e sigurisë është i rëndësishëm. Krimi i organizuar dhe ndërhyrjet nga aktorë të këqij përbëjnë kërcënim për vendet tona dhe rajonin. E këto sfida edhe mund t'i adresojmë bashkë në mënyrë efektive, edhe mund t’i tejkalojmë përmes angazhimit të përbashkët”, ka thënë ai. “E gjersa bëjmë progres në reformat drejt Bashkimit Evropian, le të mbetemi vigjilentë edhe për rreziqet që kemi përreth. Ka në rajonin tonë akterë që u shërbejnë fuqive e superfuqive keqdashëse, që synojnë ta ndalin progresin dhe të tërheqin rajonin mbrapa, duke mos lejuar që demokracia, të drejtat e njeriut e sundimi i ligjit, të jenë vlerat tona themelore, ashtu siç ne duam”. 

Sipas Kurtit, është vendimtare që të mbahet orientimi strategjik i qartë, që përputhet me aspiratat të përbashkëta për integrim në NATO dhe BE. 

“Ne besojmë në parimet të cilat qëndrojnë në zemër të NATO-s dhe të BE-së, pra të demokracisë, të drejtave të njeriut e të sundimit të ligjit. Të dy vendet tona kanë përafruar politikën e jashtme dhe të sigurisë me atë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbetemi të palëkundur në këtë drejtim”, u shpreh Kurti.  

Tri marrëveshjet e arritura

E kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thënë se marrëdhëniet e mira fqinjësore kanë për synim t’i shndërrojë në rritjen e vlerës së bashkëpunimit ekonomik me mbi gjysmë miliard euro. 

“Ne synojmë që bashkëpunimi ekonomik te jetë akoma më i madh meqë kjo do të na sjell përfitime për dyja shtetet tona dhe jam i bindur se do t’ia dalim në këtë. Nga ana tjetër jam i lumtur që bashkërisht gjatë procesit të Berlinit firmosëm marrëveshje me çka formojmë treg të përbashkët që është mekanizëm i rëndësishëm për të gjithë ne që tani kemi 17-18 milionë treg të përbashkët. Nëse jemi bashkë akoma më shumë do të përfitojmë nga tregu edhe ne, edhe ju si shtet”, ka theksuar Mickoski. 

Nga marrëveshjet e nënshkruara prej ministrave të resorëve përkatës është protokolli teknik, sipas të cilit nga 1 janari i vitit 2025, në dy pika kufitare - Hani i Elezit/Bllacë dhe Jazhincë/Glloboqicë - do të zbatohet modeli hyrje-hyrje, ku zyrtarët e policisë do të punojnë së bashku në një ndërtesë. E dyta ishte Memorandumi i Mirëkuptimit në Sektorin e Energjisë në përputhje me politikat dhe strategjitë e dy ministrive përkatëse. Sipas memorandumit, të dy ministritë do të angazhohen për të adresuar sfidat e energjisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për arritjen e objektivave të përbashkëta. Sipas memorandumit, jepet zotimi të nxiten projekte për energjinë e ripërtërishme dhe efiçiencën energjetike, si dhe për të thelluar bashkëpunimin e ekspertëve në mes korporatave të energjisë. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet shkëmbimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me thëngjill, për të siguruar kosto më të përballueshme për qytetarët dhe për të zhvilluar një sektor energjetik të qëndrueshëm, thuhet në memorandum. 

Marrëveshja e tretë është Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e arsimit, i cili është i fokusuar në arsimin dhe aftësimin profesional dhe në arsimin e të rriturve.

Sipas Kurtit, arsimi dhe aftësimi profesional është identifikuar si sektor i rëndësisë së veçantë në kuadër të iniciativës ERA apo Zona Evropiane e Arsimit për periudhën 2021-2030. Kosova dhe Maqedonia e Veriut bëjnë pjesë në një sërë nismash rajonale në këtë sektor. Këtu theksohet projekti “Fuqizimi i Cilësisë së Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Evropën Juglindore”, ku Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë partnere për sigurimin e cilësisë së arsimit profesional që lidhet natyrisht me nevojat e tregut.

Shqetësimet e ngritura

E në konferencën e përbashkët për media, Kurti u pyet nëse kanë diskutuar edhe për shqetësimet ngritura në Maqedoninë e Veriut sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe. 

“Kjo është një çështje e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni të Veriut. Janë tri dispozita nuk janë zbatuar në të kaluarën dhe i përket Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë këtë. Duhet të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje. Në Maqedoni të Veriut nuk mund të thuhet se gjuha shqipe ka qenë zyrtare dhe tash po rrezikohet. Kjo nuk është e vërtet”, ka thënë Kurti. 

Ai ka shtuar se nuk beson që dallimet ndëretnike mund të shkaktojnë konflikte të reja. 

“Mund të ketë qendra politike që për pushtet, hegjemoni, dominim dhe shtypje përdorin dallimet etnike. Por dallimi etnik si i tillë nuk shkakton dallim konflikt. Ne i kemi gjithandej në Ballkan sot duke punuar qytetarë të kombeve të ndryshme duke punuar dhe studiuar me njëri-tjetrin. Nuk besoj se në Ballkanin tonë ka pikëpamje të tilla të cilët do të na bënin dallimet ndëretnike konflikte. Mund të ketë dëshira, por nuk besoj se ka më pikëpamje të etabluara sikur ishin në vitet e 90-ta, kur edhe u eksploatuan nga Beogradi zyrtar dallimet ndër-etnike për të shkaktuar luftëra të përgjakshme të cilat synonin të krijonin Serbinë e madhe”, ka thënë Kurti. 

E Mickoski u shpreh se temat etnike po hapen nga politikanë që s’kanë ide për nevojat e qytetarëve.

Sipas tij, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese tek mohoi se ka tendenca për të ushtruar ndikim. 

“Gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese janë përzgjedhur nga BDI dhe LSDM. Nuk e di pse sugjeroni se ne mund të ndikojmë”, ka thënë ai. 

Sa i përket arrestimit të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me urdhër arreste të Serbisë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka thënë se të gjithë ata si kanë shkelur kushtetutën dhe ligjet e shtetit të tij, mund ta vizitojnë lirisht Shkupin. 

Në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, mungoi zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilkoviq, i njohur për deklaratat e tij kundër Kosovës. Kryeministri Mickoski ka thënë se dëshira e tij ishte që të jetë në prezent, por nuk mundi për shkak të angazhimeve tjera. I pyetur për qëndrimet kundër Kosovës të vartësit të tij, Mickoski u shpreh se Maqedonia e Veriut është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën dhe se nuk duhet të lejojnë keqpërdorimin e kësaj teme nga askush.