Si pasojë e reshjeve në Komunën e Pejës të shtunën pas mesnate, nënë e bir kanë vdekur. Familjarët e viktimave kanë rrëfyer se trupat e tyre janë gjetur në shtëpitë e komshinjve, teksa kanë treguar se për gjetjen e tyre janë mobilizuar me banorë të lagjes. Ata kanë kritikuar institucionet që sipas tyre, nuk u dolën në ndihmë. E kryetari i kësaj komune Gazmend Muhaxheri, i ka shprehur ngushëllime familjes dhe ka thënë që vërshimet kanë ndodhur si shkak i shiut qe një kohë të gjatë.
Në një nga dhomat e shtëpisë së tyre ishin duke qëndruar anëtarët e familjes Ademaj para se t’i rrëmbente uji .
Dion Ademaj, 5-vjeçar dhe nëna e tij Mirsada, kanë mbetur të vdekur si pasojë e vërshimeve në lagjen “Asllan Çeshme” të qytetit të Pejës të shtunën pas mesnate.
Familjarë të viktimave kanë thënë se fëmija është gjetur te shtëpia e një komshiu e ai i nënës tri shtëpi më larg.
Milaim Ademaj, gjyshi i fëmijës pesëvjeçar rrëfen se ata arritën t’i shpëtonin dy fëmijë të tjerë, por fatkeqësisht jo edhe Dionin e nënën e tij.
“Unë kam qenë në sallon duke qëndruar, aty kanë qenë dy tre sekonda se u mbushë, ka pasur shembje prej atje e ka blloku atë far jazin edhe ka hy mbi kulm uji edhe u mbush oborri i këtij vëllait komplet. Këtu muri ndërmjet e ka mbajt sa e ka mbajt, kur se ka mbajt është shpërthyer edhe ka hy uji brenda”, ka thënë Ademaj.
E xhaxhai i fëmijës Albert Ademaj, tregon se si janë munduar t’i shpëtojnë me banorë të lagjes “Asllan Çeshmja” nënën me fëmijën, teksa tregon edhe për kërkimin e trupave të tyre.
Ai ka kritikuar institucionet që nuk u kanë dalë në ndihmë.
“Jemi dalë lyp andej, lyp andej, mbas një kohë e kemi gjetur djalin e vëllait një shpi më poshtë aty. Jemi mundu me ja japë ndihmën e parë, kemi thirr ambulanten, kemi thirr Policinë, derisa e kemi pasur djalin e vogël askush nuk na ka ardhur as ambulanta, as Policia, as një njeri hiç. E kemi marrë vet e kemi çu në spital, në spital nuk ka pas shenja për jetë, ka qenë i ngufatur”, ka deklaruar Ademaj.
Ka treguar edhe për siç thotë ai, anashkalimin që është bërë nga Policia për gjetjen e kunatës së tij.
“Ishin kanë dy policë, njëri prej tyre tha kemi hallakatë aty në bodrum ku unë dyshoja, edhe unë nuk mundesha me u bindë pa hy vetë, hyra vetë, sa jam fut në atë brendësinë një 3-4 metra kam hetuar diçka, po nuk e dija sigurt a është ajo apo është diçka tjetër, e kam prek dhe e kam dalluar që është si trup njeri, i kam futë duart dhe kur e kam çu përpjetë e kam parë që është gruaja e vëllait”, ka shtuar Ademaj.
E një i afërm i viktimave u shpreh se pavarësisht përpjekjeve për shpëtim, nuk arritëm të shpëtojnë gruan dhe djalin e saj.
“Të gjithë kemi vrapuar, merre me mend prej këmbës jam sëmurë gati uji më ka çu nuk kam mund asgjë më i ndihmu, vetëm shyqyr i kemi shpëtuar një familje, qaty atë njërin e kemi ngreh zhag e kemi shpëtu se ai i palëvizshëm ka qenë”, ka thënë Haki Rama, i afërm i viktimave.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, deklaroi se kjo është në ngjarje tragjike për komunën.
“Përveç këtij rasti tragjik që kanë humbë jetën nëna me fëmijë, këto tjerat janë sende që rregullohen po këto dy jetë nuk munden me u kthy, i shprehim ngushëllime familjes. Ka ra shi shumë kohë të gjatë edhe po shihet që mbrëmë ka qenë sasi e të reshurave që s’ka ndodhur ndoshta për 50 vjet edhe ka ndodhë kjo tragjedi”, ka deklaruar Muhaxheri.
Si pasojë e vërshimeve të së shtunës në Pejë ka pasur edhe disa të lënduar, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor, por ata janë jashtë rrezikut për jetën.