LAJMET E MBRËMJES

Në Preshevë fiton Ardita Sinani e Bujanocin e humb Nagip Arifi

Parregullsi të shumta janë identifikuar në procesin e zgjedhjeve lokale në Serbi. Derisa partia e presidenti Aleksandër Vuçiq rezultatet i ka konsideruar të jashtëzakonshme, ato nuk janë pranuar nga opozita. Në anën tjetër, fitorja e kundërkandidatëve është pranuar në Luginë të Preshevës.

Ardita Sinani në Preshevë e Arbër Pajaziti në Bujanoc, janë fituesit shqiptarë në zgjedhjet lokale të mbajtura në Serbi, të dielën.

Fitoren në Preshevë, Sinani e ka konsideruar historike, derisa ka premtuar se në katër vjetët e ardhshëm do të qeverisë me maturi e përgjegjësi.

E bashkëpartiaku i Ardita Sinanit, Ragmi Mustafi, kandidat për kryetar të Bujanocit pranoi humbjen.

Tha se “ky nuk është fundi” dhe se kontributi për idealet dhe aspiratat e tyre nuk do të mbaroj.

Në krye të Komunës së Bujanocit është zgjedhur Arbër Pajaziti, i cili tha se votat që ka marrë janë amanet “për ta bërë një Bujanoc ndryshe”.

“Bashkëkombas të dashur, me këtë fitore na obliguat që të krijojmë një shumicë të re qeverisëse në Bujanoc. Atë edhe do ta bëjmë. Shumë shpejt. S’kemi kohë për të humbur, sepse na presin shumë punë. Vota juaj është një amanet për të bërë një Bujanoc ndryshe. Gjithmonë në shërbimin tuaj!” - tha Pajaziti nga Fronti për Ndryshim. 

Fitoren në Beograd e qytete të tjera e kanë shpallur edhe nga Partia Progresive Serbe e presidentit Aleksandër Vuciq.

Por, me rezultatet nuk është pajtuar opozita e cila ka thënë se procesi i zgjedhjeve lokale është përcjellë me parregullsi.

Se zgjedhjet lokale në Serbi nuk ishin të drejta e as të lira, e vlerësuan edhe nga Iniciativa ProGlas.

Përmes një njoftimi për media, nga kjo iniciativë thanë se parregullsitë e dhuna kanë tejkaluar edhe parashikimet e tyre.

“Për të gjithë u bë e qartë se me “zgjedhje” të tilla de facto u hoq e drejta e votës e garantuar me Kushtetutë dhe ideja e ndryshimit demokratik të pushtetit ishte e pakuptimtë. Në të njëjtën kohë, veprimet e papërgjegjshme të regjimit e kanë sjellë shoqërinë në prag të konflikteve civile. Shpërbërja e atij regjimi nuk është çështje partiake, por çështje kombëtare”, tha Iniciativa "ProGlas". 

Incidentet u shënuan kryesisht në Beograd e Novi Sad, por gjatë ditës së diel për parregullsi u raportuan edhe në qytetet e tjera.