Në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës: “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje – qasje multidisiplinare”, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se është e nevojshme të ketë botime akademike për të gjithë atë që ka ndodhur në luftën e fundit. Pjesëmarrësit e tjerë folën për rëndësinë e kësaj date dhe rrugëtimin historik të Kosovës
Kryeministri Albin Kurti ka potencuar rëndësinë e botimeve akademike si formë e dokumentimit të asaj çfarë ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.
Komentet i bëri të hënën në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimin e Kosovës: “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje – qasje multidisiplinare”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Ai kujtoi qershorin e vitit 1999 kur përfundoi fushata e bombardimeve mbi Jugosllavinë, por edhe frikën e atëhershme të organizatave ndërkombëtare që për rreth 900 mijë refugjatët e dëbuar nga Kosova do të ishte sfidë t’i kthenin në vend.
“Ditët në vijim treguan që në këtë sfidë nuk ishte siç e kishin menduar zyrtarët e UNHCR-së, sepse me 3 gusht kjo organizatë njoftonte që 90 për qind të refugjatëve ishin kthyer në Kosovë në mënyrë spontane dhe të vetë organizuar, pa çka se ata i gjetën 120 mijë shtëpi të tyre të shkatërruara apo të djegura. Me këtë u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë që plani I tyre i gjenocidit përmes operacionit ‘patkoi’ të kishte të paktën pjesërisht sukses për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Presidenti i Kosovës në kohën e shpalljes së pavarësisë, Fatmir Sejdiu, theksoi rëndësinë e rrugëtimit të Kosovës deri te momenti kulminant i çlirimit të vendit.
“25 vjet më parë, pikërisht më 12 qershor 1999, Kosova doli nga rrënojat e konfliktit dhe shtypjes, duke hapur një faqe të re, duke dalë në dritën e lirisë dhe të respektit. Ndërsa, jemi bashkë këtu në këtë konferencë kushtuar 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, është thelbësore që të reflektojmë mbi udhëtimin që në solli në këtë moment historik. Përvjetorët si ky që shënojmë sot, na ofron një mundësi për të reflektuar për proceset dhe vendimet që i dhanë formë shtetit tonë”, theksoi ai.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka folur për rëndësinë e ecjes para, por pa harruar historinë.
“U bën 25 vjet kur bota përparimtare vendosën t’i japin fund luftës së turpshme dhe i hapi rrugë ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Ne shqiptarët I jemi mirënjohës përjetësisht për këtë hap të madh humanitar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, NATO-s dhe vendeve tjera demokratike evropiane. Urojë që Kosova të ketë ditë edhe më të bardha në të ardhmen. Uroj që shqiptarët në Ballkanin perëndimor të kenë një mirëkuptim mes njëri tjetrit dhe të mendojnë më shumë për të ardhmen duke mos harruar”, tha Moisiu.
E kryetarët e dy akademive, në Prishtinë e Tiranë, folën për rëndësinë e kësaj ngjarjeje në përcaktimin e historisë dhe mënyrën e konceptimit të lirisë së popujve.
“Këtë bindje ma luhat një fakt i çuditshëm, çlirimi i Kosovës ndodhi në ditën e Lidhjes së Prizrenit, thash nuk i besoj koincidencës por i besoj një fakti shumë të ngulitur në vetëdije se dy shekujt e shkuar bënë kombin dhe shtetet tona. Lidhja e Prizrenit bëri kombin shqiptar, shekulli 20 bëri dy shtetet tona, shekulli 21 ende nuk e ka thënë për ne fjalën e fundit“, tha kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja.
“Kjo konferencë i kushtohet një prej ngjarjeve më të mëdha dhe më përcaktuese në historinë e shqiptarëve, hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, 25 vjet më parë si forca çlirimtare. Ngjarje e cila çon në pavarësimin e Kosovës, duke mbyllur kështu ciklin 100 vjeçar, të fitimit të pavarësisë së shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi.
Aktivitetet për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës kanë nisur më 8 qershor e do të zgjasin deri më 21 të këtij muaji.