LAJMET E MBRËMJES

“Në mungesë të kuorumit”, fraza më e përdorur, deputetët munguan 5 mijë herë

Mundësi e humbur për këtë vit është konsideruar mosratifikimi i nëntë marrëveshjeve ndërkombëtare nga Instituti Demokratik i Kosovës. Në prezantimin e raportit të KDI-së për katër vjetët e punës së Kuvendit është prezantuar një skanim i situatës që ka përcjellë legjislaturën e tetë, e ku veçohen mungesat e mëdha të deputetëve

5 mijë mungesa kanë shënuar deputetët e Kuvendit të Kosovës në katër vjetët e fundit.

Listës së deputetëve me më së shumti mungesa u prijnë ata të Listës Serbe, shkaku edhe i bojkotimit të punës së legjislativit tash e dy vjet, të pasuar nga ata të Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së e AAK-së.
Skanimi i punës së legjislaturës së tetë u bë nga Instituti Demokratik i Kosovës, që të hënën publikoi edhe një raport.

Hulumtuesja e këtij instituti, Violeta Haxholli, tha se fraza më shpesh e përdorur nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ishte “në mungesë kuorumi”. 

“Deputetët i braktisën pothuajse të gjitha seancat e legjislaturës së tetë në mes. Shumë deputetë ishin të pranishëm vetëm në letër. Pra u nënshkruan në listën e evidencës zyrtare të Kuvendit në fillim të seancës së Kuvendit dhe e braktisën në mes seancën duke shkaktuar kështu mungesë të kuorumit”, tha Haxholli. 

Sipas Haxhollit, për nga sasia legjislatura e tetë ka miratuar numrin më të madh të ligjeve në krahasim me secilën nga të mëparshmet. Megjithëkëtë, vitin e fundit në procedurë mbeten 41 projektligje të pamiratuara e 9 marrëveshje ndërkombëtare.

“Në të gjitha këto marrëveshje ka projekte të ndryshme…dhe tani që ato kanë mbetur pa u ratifikuar natyrisht ato kthehen në pikën zero pastaj nuk dihet nëse shtete apo institucionet me të cilat Kosova i ka nënshkruar këto marrëveshje do të kenë vullnet që sërish ti nënshkruajnë, ti rinënshkruajnë ato në legjislaturën e ardhshme. Një mundësi e humbur”, tha Haxholli. 

Sipas raportit të KDI-së, gjatë katër vjetëve tri temat më të diskutuara në Kuvend ishin zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë këtu edhe veriun, rritja e çmimeve dhe efektet e pandemisë COVID-19.