LAJMET E MBRËMJES

Në mungesë kuorumi nuk hidhet në votim rezoluta, kërkohet dorëheqja e ministrit Maqedonci

Pas katër orësh diskutime, nuk ka arritur që të hidhet në votim rezoluta në lidhje me furnizimin me ushqim të ushtarëve. Kjo për shkak të mungesës së kuorumit, i cili nuk ishte i mundur shkaku i bojkotit të seancës nga deputetët e pushtetit. Deputetët opozitarë, në seancën e jashtëzakonshme të së hënës, kritikuan Qeverinë për trajtim jo të duhur të ushtarëve dhe kërkuan zgjidhje të menjëhershme të problemit

Seanca e jashtëzakonshme për ushqimin e ushtarëve nuk ishte e tillë edhe për nga pjesëmarrja e deputetëve. Ata të pushtetit, sikurse të premten, bojkotuan diskutimin e së hënës të ftuar nga opozita.

Shqetësimet e ngritura nga tri partitë në opozitë u diskutuan mes tyre, e përgjigje nuk morën prej atyre që iu drejtoheshin, qeveritarëve.

Dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka kërkuar shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri. 

“Sot kur e sheh të dezertuar nga detyra e tij ministrin e Mbrojtjes vërtet nuk mund  të heshtësh. Ministër, Ejup Maqedonci, kudo që je. Sot ke dezertuar përballë detyrës tënde më fisnike. Sot mos me qenë në gjendje me ardhë në Kuvendin e Kosovës dhe me mbrojt punën dhe angazhimin tënd është e patolerueshme. Sot ai që më së paku do të duhej ta bënte është me dhënë dorëheqje dhe me liru atë detyrë. Zotëri ministër do të mbahesh mend që e ke lënë ushtrinë pa bukë”, tha Tahiri. 

Seanca u thirr pasi komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, paralajmëroi ndërprerjen e aktiviteteve nëse nuk bëhet zgjidhje me shërbimin e ushqimit. 

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka ngritur shqetësimin për mosndërmarrjen e veprimeve me kohë nga Ministria.

“Ministria e Mbrojtjes nuk ka arritur të planifikojë përfundimin e kontratës së furnizimit me ushqim në mënyrë të duhur dhe me kontraktorin e mëparshëm kishte lidhur një kontratë të ngjashme urgjente mbi tri herë, për periudha deri në gjashtë muaj me një vlerë mbi shtatë milionë euro, duke u bazuar në procedura të shpallura ekstreme emergjente. Por Kosova nuk ka shpallur gjendje emergjente kombëtare. Ushqimi nuk është një emergjencë e papritur”, tha Quni.

E Ramush Haradinaj, kreu i partisë që inicioi mbajtjen e kësaj seance, AAK, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se është në shërbim të Serbisë dhe si i tillë, sipas tij, është duke i dobësuar institucionet e sigurisë.

“Po godet pamëshirshëm Policinë, AKI-në dhe Ushtrinë në mënyrat më të ulëta të mundshme dhe po vazhdon të godasë. I kam thënë një ditë këtu se është spiun i Serbisë. Po, është tradhtar ai njeri që e len ushtrinë e vet pa bukë”, tha Haradinaj.

Debati u zhvillua për rreth katër orë, e në mungesë së kourumit u përmbyll pa u marrë ndonjë vendim.
Paraprakisht, nga iniciuesit e seancës u paraqit rezoluta përmes së cilës u kërkua që çështja e furnizimit me ushqim për Ushtrinë të zgjidhet me urgjencë dhe që, zyrtarët përgjegjës, nisur nga ministri, të japin dorëheqje. Po ashtu, iu kërkua Prokurorisë që të nisë hetimin e rastit me dyshimet për korrupsion.

Nga Ministria e Mbrojtjes të dielën thanë se janë duke bërë përpjekje të zgjidhin këtë telash dhe se problem, sipas saj, kanë paraqitur edhe ankesat e operatorëve ekonomikë pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit.