LAJMET E MBRËMJES

Në mesjavë pritet të nisë numërimin i votave nga mërgata

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar rreth 5 mijë pako të ardhura nga jashtë nga 69 mijë sosh sa ka verifikuar. Zyrtarët e KQZ-së aktualisht janë duke punuar në skanimin e listave të votuesve për t`i krahasuar ato me votat që kanë pranuar me kusht, derisa deri në mes javë ky institucion synon që të nisë me numërimin e votave që janë hedhur në përfaqësitë diplomatike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon që rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e 9 shkurtit t`i shpallë më së largu më 5 mars. Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ky planifikim është bërë qysh në gusht të vitit të shkuar. 

Sipas këtij plani të KQZ-së, i gjithë procesi planifikohet të përmbyllet më 18 mars. “Shpallja e rezultateve përfundimtare për subjektet politike është planifikuar të bëhet më së largu me datën 5 mars të vitit 2025 ndërkaq certifikimi i tyre, që ndodhë pasi të përfundojnë ankesat eventuale dhe vendimet për to në PZAP dhe Gjykatën Supreme është planifikuar të bëhet deri më datën 18 mars. Natyrisht se ne po punojmë që shpallja e rezultateve përfundimtare të bëhet edhe më shpejt para këtyre planifikimeve që kemi bërë”, ka thënë Elezi.

Të hënën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka vazhduar skanimi i listës së votuesve në vendvotime të rregullta, proces që i paraprin numërimit të votave me kusht. Elezi tha se presin që një veprim i tillë të nisë së shpejti. 

“Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht sepse na ndihmon që të sigurohemi që askush nuk ka votuar dy herë në vendvotimin e rregullt dhe vendvotimin me kusht”, ka thënë ai.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit janë gjithsej 12 mijë e 801 fletëvotime nga vendvotimet me kusht derisa janë edhe 2597 vota të personave me nevoja të veçanta, të pa numëruara ende.

Krahas votimit përmes postës, shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë për herë të parë kanë pasur mundësi që të votojnë fizikisht nëpër përfaqësi diplomatike, kjo pas ndryshimeve ligjore që janë bërë.
Nga 104 mijë e 924 shtetas të regjistruar për të votuar nga jashtë 84 mijë e 600 kanë zgjedhur dërgimin e votës përmes postës, derisa 20 mijë e 324 persona atë për të votuar fizikisht. Por të drejtën për të votuar në përfaqësi diplomatike, sipas të dhënave nga KQZ-ja e kanë shfrytëzuar 15 mijë e 352 votues, derisa atë përmes postës 68 mijë e 712 sosh.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se nga pakot e ardhura prej jashtë Kosove janë refuzuar afro 5 mijë sosh. 

“Sipas të dhënave preliminare, procesit të vlerësimit apo verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës i janë nënshtruar rreth 69 mijë pako prej të cilave janë aprovuar rreth 63 mijë ndërkaq janë refuzuar rreth 4 mijë e 900”, ka thënë ai.

Sipas Elezit, janë disa arsye pse këto pako janë refuzuar. Mes tjerash ka përmendur edhe dërgimin e tyre më shumë se njëherë. 

“Arsyeja se pse janë refuzuar këto dërgesa postare është se ato janë dërguar nga persona të cilët janë anuluar gjatë regjistrimit jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit, janë dërguar më shumë se një herë apo personat të cilët kanë dërguar këto pako kanë dërguar më shumë se një fletëvotim dhe arsye të tjera”, ka thënë ai.

Numërimi i votave nga vendvotimet në përfaqësi diplomatike, ka thënë Elezi, planifikohet të fillojë në mes javë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të premten ka përfunduar me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë e verifikimin e atyre për subjekte politike.

Sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 4090 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 22.03 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.64 për qind e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.46 për qind.