LAJMET E MBRËMJES

Në gjendje stabile policët e lënduar në Zveçan

Fraktura në brinjë e gjunjë dhe ndrydhje në kraharor kanë pësuar tre nga tetë policët që të premten mbrëma u aksidentuan me veturë zyrtare në fshatin Grabovc të Zveçanit. Mjekë në Kirurgjinë Torakale, atë të Ortopedisë dhe në Kirurgjinë Maksilofaciale thanë se gjendja e tyre, pas trajtimit, është stabile

Tre nga tetë policët, që të premten mbrëma pësuan lëndime kur automjeti i tyre zyrtar u vetaksidentua në Zveçan, ndodhen jashtë rrezikut për jetën, teksa po marrin trajtim në Klinikën Torakale, atë të Ortopedisë dhe të Kirurgjisë Maksilofaciale në QKUK.

Ata janë hospitalizuar pasi kanë pësuar fraktura në brinjë, në gjunjë dhe ndrydhje në kraharor.

Frederik Çuperjani, mjek në Torakale, ka bërë të ditur të shtunën se polici që po trajtohet në këtë klinikë është në gjendje stabile dhe nuk ka pasur nevojë për intervenim kirurgjikal.

“Pas ekzaminimeve të hollësishme të tyre në emergjencë, ne e kemi pranuar njërin. Ka pësuar lëndime të rënda, domethënë në kraharor në të dy anët dhe në dorë. Lëndimi është i natyrës së ndrydhjes së kraharorit dhe thyerjes së brinjëve në të dyja anët. Për fat të mirë, këtu kemi të bëjmë me pjesëtarë të rinj, 40-vjeçarë në gjendje të mirë fizike kështu që për momentin po duket që gjendja është stabile”, ka thënë Çuperjani.

Operacionit vonë të premten i është nënshtruar polici tjetër që është pranuar në Klinikën e Ortopedisë. Pas intervenimit për vendosjen e një pllake në gjurin e thyer, gjendja e policit, sipas infermierëve të Klinikës, është stabile.

Stabile është edhe gjendja e policit të tretë që po trajtohet në QKUK. Ai, sipas drejtorit të Emergjencës, Naser Syla, ka pësuar lëndime që kanë kërkuar trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale.

Policët janë lënduar në aksidentin që e pësuan me veturë zyrtare në fshatin Grabovc të Zveçanit, në orët e mbrëmjes të së premtes. Aksidenti, sipas Policisë, ka ndodhur kur automjeti ka dalë nga rruga, si pasojë e rrëshqitjes. Pesë të lënduarit e tjerë në këtë rast, janë liruar pas trajtimit në Spitalin e Mitrovicës.