Dy marshe protestuese u organizuan të hënën për të kërkuar drejtësi për rastin e vrasjes së Erona Coklit në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj e që i dyshuar është ish-bashkëshorti i saj, i cili ndodhet në paraburgim. Familjarë të së ndjerës thanë se shpresojnë që kjo të jetë vrasja e fundit.
Me anë të një marshi protestues, të hënën në Ferizaj, është kërkuar drejtësi për Erona Coklin, e cila u vra të premten në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj e i dyshuar është ish-bashkëshorti i saj.
Në këtë marsh, i cili filloi para zyrave të QPS-së në Ferizaj e përfundoi te Gjykata Themelore e qytetit, pjesëmarrës ishin edhe familjarë të së ndjerës.
Vëllai i saj, i plagosur nga dorasi, po mbante fotografinë e motrës së tij.
E, daja i saj, Milazim Tahiri tha se shpreson që ky të jetë rasti i fundit i vrasjes së grave.
“Boll na vranë, nuk durohet më kështu. Mendoj që duhet të jetë ky rast i fundit se na e vranë Marigonën, Liridonën dhe Eronën, boll me vrasje, s’ka më vrasje. Dëshira ime është që gjaku i Eronës të jetë vulë për drejtësinë e këtij vendi”.
Dashurie Uksmajli, organizatore e protestës, listoi një varg kërkesash për institucionet e sigurisë për të përmirësuar sigurinë e grave, sidomos atyre në proces të shkurorëzimit.
“Kërkesat tona urgjente janë detektorë në institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mirëqenies së vajzave dhe grave, sigurim efikas në qendrat për punë sociale. Kërkojmë që Gjykata të konsiderojë seriozitetin të këtij krimi dhe të japin dënime të përputhshme me të duke refuzuar dënime minimale”.
Marshit i prin vëllai i së ndjerës me të tjerë familjarë, e pas tyre dhjetëra protestues mbajtën pankarta e lëshuan thirrjen për drejtësi e kritika ndaj institucioneve. Kërkuan edhe dorëheqje.
Edhe në kryeqytet u kërkua drejtësi për vrasjen e Erona Coklit.
Protestuesit u nisën nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar marshimin nëpër rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.
Thirrja e protestuesve ishte për siguri të grave e trajtim të drejtë institucional të rasteve ndaj dhunës dhe vrasjeve.
Valon Aliut, ish-bashkëshortit të së ndjerës, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën dyshimin për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.