Kundër kapitalizmit u protestua të mërkurën në Prishtinë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. “Blloku Antikapitalist” fajësoi organizimin ekonomik të shtetit për shtypjen e grave dhe të punëtorëve.
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, shesheve e rrugëve të Prishtinës marshoi edhe një grup i quajtur “Blloku Anitkapitalist”, i përkrahur edhe nga Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist.
“Poshtë kapitalizmi, liri klasës punëtore” qe mbishkrimi pas të cilit u vunë protestuesit.
Gjatë marshit protestuesit u ndalën edhe para zyrave të Inspektoratit të Punëve, për të kërkuar më shumë të drejta të punëtorëve.
E kur u akomoduan në shkallët e Teatrit Kombëtar, fjalim mbajti Auron Doli, të cilin e filloi me fjalët “shokë e shoqe”.
“Kapitalizmi premton barazi gjinore, por kapitalizmi nuk mund të funksionoj pa hierarkinë dhe patriarkatin. Gratë dhe vajzat përveç ndarjes së pabarabartë dhe skllavëruese të punëve të shtëpisë, përjetojnë edhe ngacmime, dhunë e vrasje, të cilat veç sa shtohen”, tha Doli.
Me thirrje revolucionare Doli kërkoi organizim të “klasës punëtore”.
“Çlirimi jonë nuk dhurohet nga lartë, por grabitet nga kthetrat e pushtetit. Të shtypurit nuk kanë kujt t’i frikohen. Prandaj, punëtor, student organizohuni deri në çlirimin e klasës punëtore”, tha ai.
Gjatë këtij marshi u bë thirrje për kushte më të mira të punës, përmirësim të pozitës së grave në shoqëri e ndryshim të organizimit ekonomik të shtetit.