LAJMET E MBRËMJES

Në ditën e Policisë përkujtohen 21 efektivët e rënë në krye të detyrës

Në përvjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, janë kujtuar 21 zyrtarët e këtij institucioni, të cilët kanë rënë në krye të detyrës. Ministri i Brendshëm ka bërë homazhe në veri, në vendin ku është vrarë Enver Zymberi. Edhe përfaqësues të tjerë institucionalë kanë vlerësuar rolin e policëve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Në përvjetorin e Policisë së Kosovës, të martën janë përkujtuar 21 zyrtarë të saj që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Në ceremoninë e mbajtur në Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë, kanë marrë pjesë udhëheqës shtetërorë, të cilët kanë vlerësuar rolin e policëve në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se të rënët do të kujtohen gjithmonë.

“26 korriku është data e heronjve tanë policë, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre, në mbrojtje të sovranitetit e të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ata ranë në luftë me krimin dhe në mbrojtje të jetës së qytetarëve tanë. E gjithë kjo sakrificë u bë për sundimin e ligjit në vendin tonë”, ka thënë Konjufca.

Kryetari i Kuvendit ka rikujtuar se i pari prej policëve të rënë ishte Lazim Rexhepi, 37-vjeçar, e i fundit Sami Thaçi.

“Policia e Kosovës me punën dhe organizimin e saj të palodhshëm, ka arritur që të shndërrohet në institucionin më të besueshëm të popullit tonë. E në këtë rrugëtim 21 policë që ranë në krye të detyrës, janë heronjtë e shtet-ndërtimit, të sundimit të ligjit, të demokracisë e të paqes në vendin tonë”, ka thënë Konjufca.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se polici ka rol integral në shoqëri dhe ka shtuar se organet e rendit duhet të veprojnë në zbardhjen e vrasjes së Enver Zymberit dhe të tjerëve.

“Sot si para 11 vjetësh ndiejmë peshën e dhimbjes, por edhe krenarisë së rënies së heroit tonë Enver Zymberi dhe gjithë heronjve të tjerë. Por sot zyrtari policor ka nderin të mbajë uniformën e heroit Enver Zymberi dhe 20 zyrtarëve të tjerë policorë të rënë në detyrë”, ka thënë Sveçla. “Ne nuk kemi nevojë për heronj të tjerë, por për një polici të organizuar e të disiplinuar, që nuk ia ka frikën asnjë krimi kundër shoqërisë, institucioneve dhe sovranitetit”.

Para ceremonisë, ministri Sveçla ka bërë homazhe në veriun e banuar me serbë, në vendin ku 11 vjet më parë është vrarë Zymberi, gjatë një aksioni për ta shtrirë autoritetin shtetëror në pikëkalimet kufitare me Serbinë.

E në ceremoni drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, ka theksuar se vepra e efektivëve të vrarë në krye të detyrës do të nderohet e lartësohet çdo ditë.

“Në çdo ditë i kujtojmë familjarët tuaj dhe kolegët tanë. Ata sot janë familja jonë e përbashkët, sepse policia është një familje e madhe. Familja policore është çdokund sinonim i luftës kundër së keqes, prandaj familjarët tuaj kanë rënë në luftën kundër së keqes, kundër krimit dhe në shërbim të atdheut”, ka thënë ai.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, në krye të detyrës kanë rënë: Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llapatinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanoviq, Misin Krasniqi, Enver Zymeri, Jahi Maliqi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj dhe Sami Thaqi.

Në nderim të tyre, është organizuar parakalimi i Gardës dhe njësiteve policore.