“Mendoj se sot është dita të festojmë edhe pas kësaj dite relaksimi ne mund të vazhdojmë disi të punojmë për t’i bërë marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së më të mira”, ka thënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tek ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në Prishtinë për Ditën e Evropës
Me aktivitete të ndryshme dhe me ditë pushimi, Kosova e ka kremtuar të enjten Ditën e Evropës për herë të parë pa ndjenjën e izolimit, pasi që me liberalizimin e vizave këtë fillimvit qytetarëve u është mundësuar lëvizja lirshëm në shtetet evropiane.
Si pjesë e organizimit, qytetarëve të Prishtinës u është mundësuar që të shohin imazhe të qyteteve kryesore evropiane, edhe në fotografi që Komuna e Prishtinës dhe Zyra e Bashkimit Evropian (BE) i kanë ekspozuar në sheshin qendror të Prishtinës, krahas të cilave është vendosur edhe slogani: “Përjeto Evropën 2024”.
Në ditën kur në Kosovë ka qenë pushim, shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ka bërë apel që të punohet më shumë në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Brukselit.
“Mendoj se sot është dita të festojmë edhe pas kësaj dite relaksimi ne mund të vazhdojmë disi të punojmë për t’i bërë marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së më të mira”, ka thënë Szunyog.
E ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, nëpërmjet një video-mesazhi nga Prishtina, ka shfaqur shpresën që ta shohë një ditë Kosovën pjesë të BE-së.
“Bashkimi Evropian është projekti më i suksesshëm i paqes në botë. Është projekt i papërfunduar. Shpresoj se do të ketë anëtare të reja së shpejti dhe një nga to të jetë Kosova një ditë. Mendoj se Gjermania është duke bërë gjithçka për ta mbështetur Kosovën në këtë proces”, ka theksuar Rohde.
Shpresën për anëtarësim në BE e ka shprehur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar për 9 maj.
“Shpresoj, lutem që edhe Kosova shumë shpejt ta ketë një shtëpizë këtu, pra t’i bashkohet BE-së. Sepse ne faktikisht vetëm se jemi evropianë, edhe me sjellje, edhe me kulturë, edhe më të gjitha, kështu që e meritojmë që të jemi pjesë e saj”, ka thënë Rama.
E nëpërmjet një postimi në platformën X me rastin e Ditës së Evropës, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova e sheh Bashkimin Evropian si “fener vlerash”, të cilat shteti i mbron çdo ditë. Ajo ka shkruar po ashtu” se derisa qytetarët e Kosovës u bashkohen evropianëve në shënimin e Ditës së Evropës, kujtohet vizioni: “Një Evropë e plotë, e lirë dhe në paqe”. Presidentja Osmani ka shkruar se ky vizion i afrohet realitetit kur të gjitha shtetet aspiruese dhe të përkushtuara i bashkohen BE-së.
Tek e ka kujtuar Ditën e Evropës në 74-vjetorin e vendosjes së gur themelit të BE-së, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo ditë e përkujton nevojën për unitet, solidaritet e bashkëpunim si parime të patjetërsueshme, për ruajtjen e demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit në Evropë.
“E gjersa Evropa sot po kërcënohet nga politikat ekspansioniste e ideologjitë ekstremiste, ruajtja e unitetit bëhet më e rëndësishme se asnjëherë më parë. Vetëm një Evropë e bashkuar mund të bëhet mburojë ndaj agresioneve ushtarake e tentimeve destabilizuese që cenojnë paqen dhe rrezikojnë lirinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai e ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe në familjen e madhe evropiane, e cila do të ishte një sinjal pozitiv për vendin dhe vlerat demokratike.
“Dita e Evropës është më shumë se një ditë feste, por edhe përkujtimi për vlerat e avokuara që në vitet e '50-ta, të cilat dërguan drejt krijimit të BE-së, gur themeli i të cilit u vendos përmes deklaratës së ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman. Kjo ditë ngërthen rëndësinë se vetëm një Evropë e bashkuar kultivon lirinë e demokracinë, paqen e sigurinë”, ka shkruar ai.
Dita e Evropës shënohet me aktivitete në të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, por vetëm në një nga to është ditë pushimi. E kjo ditë është në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës.